Zgjedhjet në Maqedoni, Neziri: Partitë në pushtet duhet të humbasin

10.12.2016 17:46:10

Zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen nesër në Maqedoni pritet që t’i japin fund një krize të zgjatur politike në vend. Ndërkaq, fushata elektorale në Maqedoni, është karakterizuar nga akuza të rënda mes partive politike.

Partitë kryesore politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare, gjatë fushatës kanë vazhduar me premtimet për avancimin dhe mbylljen e çështjeve të pazgjidhura shqiptare, ndonëse vazhdimisht këto parti janë akuzuar se kërkesat e shqiptarëve po hasin në vesh të shurdhër.

Analisit politik Xhelal Neziri, duke i komentuar zgjedhjet e së dielës, thotë për lajmi.net se ato vijnë pas një krize dyvjeçare, të shkaktuar nga mosnjohja e rezultateve të zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2014 nga ana e opozitës maqedonase të udhëhequr nga LSDM.

Siç thekson ai, na këto zgjedhje pritet prodhimi i institucioneve legjitime e kredibile për të kryer reformat prioritare sipas marrëveshjes së faktorit ndërkombëtar.

“Ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar solli Marrëveshjen e Përzhinës, që nënkupton reforma zgjedhore, juridike dhe institucionale për kapërcimin e kësaj krize. Hapi i parë më serioz në këtë drejtim janë zgjedhjet e së dielës, të cilat duhet të prodhojnë institucione legjitime e kredibile për të kryer reformat prioritare që burojnë nga ajo marrëveshje. Në vendet normale, pas gjithë këtyre aferave, do të ishte lehtë e parashikueshme që të humbin partitë që përbëjnë pushtetin. Mirëpo, punësimet partiake në administratë kanë krijuar një votë klienteliste në Maqedoni që nuk udhëhiqet nga arsyeja por nga initeresi konkret”.

Duke folur edhe për numrin e ulësve që deputetët pritet t’i marrin pas zgjedhjeve, posaçërisht deputetet shqiptar, Neziri thotë se partia e Ali Ahmetit do të fitojë më shumë ulëse në Parlament.

“Kjo votë e korruptuar bën që te blloku politik maqedonas VMRO-DPMNE dhe LSDM të fitojnë numër të përafërt të deputetëve, kurse te shqiptarët BDI të rezultojë me numër më të madh të ulësve në Parlament. Përveç votës klienteliste, favor BDI-së në këto zgjedhje i bën opozita e përçarë në tre parti. Ato së bashku do të fitojnë më shumë vota se BDI, por sistemi i D’Hontit favorizon koncentrimin e votave dhe në këtë rast partia e Ahmetit do të përfitojë më shumë deputetë. Shkuarja me më shumë parti shqiptare në këto zgjedhje pritet të zvogëlojë numrin e tyre nga 27 në 24, por në këtë rast duhet marrë parasysh edhe deputetët shqiptarë që garojnë në listën e LSDM-së”, thotë ai ndër tjerash.

Neziri shprehet i bindur se numri i deputetëve shqiptarë nuk do të ketë shumë ndryshime në aspektin kuantitativ, por vetëm në atë kualitativ.

Sipas tij, konkurrenca e shtuar me iniciativat e reja politike si LR-PDSH, UNITETI dhe BESA kanë shtuar kualitetin e listave të kandidatëve, rrjedhimisht edhe kualitetin e përfaqësimit të shqiptarëve në Parlament.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni bazuar në krizën e thellë politike në të cilën ndodhet vendi prej dy vitesh vlerësohen si më të rëndësishme që nga pavarësia e saj 25 vite më parë.