Zgjedhjet në SHBA: Trump kritikon rivalët e tij republikanë

09.09.2019 18:47:08

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kritikoi ashpër Mark Sanfordin – një tjetër republikan që do ta sfidojë Trumpin në garën për të nominuarin e partisë për kandidat për zgjedhjet presidenciale të 2020-ës.

Trump i përshkroi Sanfordin, ish-guvernator i Karolinës së Jugut, dhe dy sfidantët e tjerë si “kandidatë të dështuar keq”.

Presidenti po ashtu përmendi lidhjen jashtëmartesore të Sanfordit me një grua argjentinase në vitin 2009.

Në një seri postimesh në Twitter, Trump kujtoi skandalin kur Sanford u zhduk për disa ditë.

Atëbotë, stafi i tij u tha gazetarëve se Sanford ka shkuar për ecje në mal, por, më vonë, vetë ai e pranoi se ka shkuar në Argjentinë për të parë të dashurën e tij, përcjell rel.

Sanford, 59 vjeç, njoftoi të dielën se do ta sfidojë Trumpin.

Në prill, ish-guvernatori i Masaçusetsit, Bill Weld, u bë zyrtari i parë që njoftoi se do ta sfidojë presidentin.

Ai u pasua nga ish-ligjvënësi Joe Walsh, i cili i bëri publike synimet e tij në muajin gusht.

Është pothuajse e pamundur që dikush të marrë nominimin e partisë, kur në garë është presidenti.

Asnjë president në epokën moderne nuk e ka humbur këtë garë dhe Trump mbetet shumë i popullarizuar në mesin e republikanëve.

Trump tha se tre rivalët e tij potencialë janë që të gjithë “kandidatë të dështuar keq”.

Dita e zgjedhjeve është ende më shumë se një vit larg, por gara për t’u bërë sfiduesi demokrat i Trumpit tashmë është në zhvillim e sipër.