Zgjedhjet për Parlamentin Evropian e vështirësojnë vendimmarrjen për vizat

29.06.2018 12:21:59

Ndonëse para tetë vjetësh (2010) krerët e institucioneve të Kosovës nisën zotimet për liberalizimin e vizave, një gjë e tillë ende nuk është realizuar.
Përkundrazi, Kosova aktualisht është në pritje të publikimit të rekomandimit të Komisionit Evropian (KE), i cili do të tregojë nëse është përmbushur kriteri i luftës ndaj krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Njohësit e integrimit vlerësojnë se këtë vit mund të merret vendimi për heqjen e vizave për kosovarët me Bashkimin Evropian, mirëpo, sipas tyre, gjasat e mëdha janë që implementimi të shtyhet prej 1 korrikut 2019, përkatësisht pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian të planifikuara për maj 2019

Jehona Lushaku, njohëse e procesit të integrimit, ka vlerësuar se ka gjasa që liberalizimi të ndodhë këtë vit nëse ka vullnet politik prej shteteve që janë anëtare të BE-së.

Por sipas saj, për shkak të disa problemeve që ekzistojnë brenda BE-së, implementimi i vendimit mund të shtyhet për vitin tjetër, edhe nëse vendimi merret këtë vit.

“Në anën tjetër BE-ja ka edhe disa probleme me migracionin, me politikat e saj ndaj migracionit, ndaj menaxhimit të zgjedhjeve për vitin e ardhshëm. Kosova është një vend me potencial migrimi, mandej politikanët brenda shteteve të BE-së kalkulojnë që kjo mund t’u kushtojë politikisht. Nën këtë kalkulim politik gjasat janë që procesi dhe vendimi të merret këtë vit, e implementimi të shtyhet mandej pas zgjedhjeve, më 2019” .

Në tërë këtë proces, sipas Lushakut, rol të madh luan edhe fakti se sa lobojnë politikanët kosovarë dhe sa i garantojnë ata shtetet e BE-së se nuk do të ketë valë migracioni në BE.

Ndërkohë ka vlerësuar se liberalizimi ka mundur të ishte përfunduar tashmë, porse politika kosovare e ka shfrytëzuar jo mirë kohën. Sipas saj, tre vjet nuk është diskutuar fare për liberalizim, pasi që tre vjet i ka marrë vetëm Demarkacioni.