Zgjedhjet për Prishtinën: Krahasimet e statistikave mes LDK-së dhe VV-së më 2013 dhe 2017

23.10.2017 02:29:56

Në tërë territorin e Republikës së Kosovës, sot u mbajtën zgjedhjet e rregullta lokale.

43,82 për qind e votuesve me të drejtë vote, kanë votuar sot për të preferuarin e tyre për kryetar komune në tërë komunat e Kosovës.

Siç edhe pritej, në kryeqytet është zhvilluar një garë e ngushtë në mes Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes dhe Arban Abrashit të LDK-së, të cilët do të garojnë sërish në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve që do të mbahet më 19 nëntor.

Deri tash, kur ende po vazhdon procesi i numërimit të votave nga KQZ, Shpend Ahmeti i VV-së ka arritur të marrë 44,52 për qind apo 29,063 vota, ndërkaq Arban Abrashi i LDK-së ka marrë 35,89 për qind apo 23,430 vota.

Pra, diferenca deri më tani në mes Ahmetit e Abrashit është 5,633 vota (8,63 në përqindje).

Kujtojmë se edhe në zgjedhjet lokale të 2013-ës, para shkuarjes në balotazh, VV dhe LDK kishin një garë të ngushtë. Atë kohë, kandidati i LDK-së, Isa Mustafa, kishte arritur të marrë 42,75 për qind apo 37,755 vota, kurse Shpend Ahmeti nga Vetëvendosje 31,89 për qind apo 27 mijë e 415 vota. Pra, diferenca në 2013-ën mes Mustafës dhe Ahmetit ishte 10,340 vota (10.86 në përqindje).