Zgjedhjet presidenciale të së dielës në Malin e Zi, shqiptarët votojnë Gjukanoviç-in

14.04.2018 23:08:59

Partitë politike shqiptare në Mal të Zi, që njihen për divergjenca të shumta, këtë herë kanë rënë dakord që vota e tyre të shkojë për Milo Gjukanoviçin ne zgjedhjet presidenciale të së dielës.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin malazez, Genc Nimanbegu, që është dhe nënkryetar i Parlamentit thotë se edhe orientimi i politikës shqiptare ka qenë që të votohet për Milo Gjukanoviçin

Mesazhi i tyre ishte i qartë që të përkrahej Gjukanovici, ky mesazh vinte pasi ne kemi marrë vendimin kë do të mbështesim”, shprehet Genc Nimanbegu, nënkryetar i Parlamentit në Malin e Zi.

Në të njëjtën linjë është dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu që është dhe kryetari i Partisë Forca.

“Duke pasur parasysh hyrjen në NATO, pavarësinë e Kosovës, pavarësinë e Malit të Zi, ne duan që këto arritje të shkojnë edhe më tej, pasi ne si shqiptarë në Malin e Zi do të kemi një pozicion edhe më të mirë”, thotë Nazif Cungu, kryetar i Komunës së Ulqinit.

Ndërsa kryetari i Partisë Unioni Demokratik Shqiptar, Mehmed Zenka që mban dhe postin e Ministrit të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në qeverinë malazeze shprehet se vota për Gjukanoviçin është jetësore për shqiptarët dhe gjithë rajonin pasi kandidati tjetër pro serb ka thënë hapur se mund të rishikojë referendumin për Pavarësinë e Malit të Zi e kthim pas të shumë arritjeve që janë bërë deri tani.

“Shqiptarët në Malin e Zi kanë vetëm dy zgjedhje, nuk ka një zgjedhje të mesme. Ose krahu serb, ose krahu pro europian, të cilin e përfaqëson Gjukanoviç”, thotë Zenka.

Edhe lideri u Partisë Demokratike Shqiptare në Mal të Zi, Fatmir Gjeka shprehet se nuk ka asnjë dyshim që votat e shqiptarëve do shkojnë për Milo Gjukanoviçin.

“Kemi shumë arsye, duke përmendur luftën në Kosovë, pastaj njohja e Kosovës, marrëdhëniet e mira që ka me Shqipërinë”, thotë Gjeka.

Por dhe qytetarët duken të vendosur se vota e tyre duhet të shkojë për Gjukanoviçin.

“Do të votoj për Gjukanoviçin pasi ai është kryetari i Malit të Zi dhe asnjë tjetër”, thotë një qytetar.

“Me siguri ish-kryeministrin, i ka shanset më të mëdha”,- thotë një tjetër qytetar./TCH/