Zgjedhjet/ Shkarkohen dy Prefektët, pasuesi i “Lalës” dhe ‘misionari’ i Ramës për Shkodrën

15.05.2019 18:39:20

Me vendim të Këshillit të Ministrave, ditën e sotme, maxhoranca socialiste i ka dhënë “bekimin” përfundimtar Gledian Llatjas dhe Valdrin Pjetrit për të garuar në zgjedhjet e 30 qershorit për bashkitë e Elbasanit dhe të Shkodrës.

Sipas VKM-së, Llatja dhe Pjetri që deri më sot mbanin postet e Prefektit në qarqet respektive, janë liruar nga detyra, duke u hapur kështu rrugën edhe ligjërisht garimit për kryebashkiak.

Kujtojmë se Edi Rama që prej dy muajsh i ka besuar Gledian Llatjas, garën për Bashkinë e Elbasanit, teksa e dërgoi me “mision” për të ruajtur hegjemoninë e majtë në qark pasi Qazim Sejdini deklaroi hapur se nuk do të rikandidonte për mandatin e katërt.

E njëjta gjë ndodhi në Shkodër, ku Valdrin Pejtri u dërgua para dy muajsh, menjëherë pas vrasjeve të bujshme në kryeqendrën e Veriut, për të garantuar qetësinë dhe rendin me disa takime të njëpasnjëshme me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj.