Zgjohet nga koma djali i plagosur nga sulmi në Munih

11.08.2016 10:04:36

Kur mjekët arritën ta kthejnë djaloshin nga koma, prindërit e tij dhe personeli i spitalit i treguan se tre shokët që kishin qenë me të kishin vdekur në sulmin e bërë atë ditë.

Beneti 13 vjeçar ka kaluar ditë të tëra të rënda në gjendje të komës në spitalin e fëmijëve në Haun.

Familja e tij ka vuajtur po kaq ditë për jetën e Benetit. Prindërit e tij Gonxhja dhe Fati kanë qëndruar ditë dhe net pranë shtratit të të birit, shkruan gazeta gjermane TagesZeitung.

Beneti është një ndër viktimat e sulmit të kryer muajin e kaluar në Munih, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën 9 persona. 13 vjeçari shqiptar nga Kosova Lindore ka pësuar një lëndim të rëndë në nofull por ka mbijetuar.

Ai kishte qëlluar në McDonalds të qendrës tregtare Olympia së bashku me tre shokë të tij, kur atentatori 18 vjeçar gjermano-iranian kishte filluar të shtënat nga revolja. Ali David Sonboli kishte gjuajtur në mënyrë të qëllimtë edhe në drejtim të kokës së Benetit.

Kur mjekët arritën ta kthejnë djaloshin nga koma, prindërit e tij dhe personeli i treguan se tre shokët që kishin qenë me të kishin vdekur në sulmin e bërë atë ditë.

“E gjithë familja vazhdon të jetë në gjendje shoku”, thotë farmacistja Birgit Lauterbach, në barnatoren e të cilës punon si shofer babai i Benetit, Fati A.

Benet A. ka edhe dy vëllezër në moshën 3 dhe 9 vjeçare.

Çifti i farmacistëve Birgit dhe Arndt Lauterbach ka iniciuar ndërkohë një aksion ndihmash për familjen shqiptare.

Është e vështirë të kuptohen përmasat e vuajtjes së Fatit dhe Gonxhes, thotë Birgit. “Ne duam të kontribuojmë që së paku familja të mos ketë edhe halle financiare”, shton ajo.

Beneti është njëri ndër 35 personat e plagosur dhe të lënduar në atentatin e Munihut. Qyteti ka vendosur që të ndihmojë financiarisht familjet e viktimave dhe të të plagosurve dhe për këtë ka ngritur një fond.

Të mërkurën Asambleja e Komunës ka vendosur njëzëri që në këtë fond të derdhen 500 mijë euro dhe që, në varësi nga nevojat, shuma e fondit të rritet. Paratë do të shpenzohen, veç tjerash, edhe për trajtimin mjekësor të të plagosurve, gjegjësisht për shërbimet të cilat nuk i mbulon sigurimi shëndetësor.