“Zhduket” imami shqiptar në Zvicër që njihej për deklaratat për homoseksualët

02.11.2019 19:08:17

Ardian Elezi është një imam shqiptar me qëndrim në Zvicër, i cili ka udhëhequr një xhami në Bazel. Së fundi, i përballur me akuza për ekstremizëm islamik, ai ka braktisur Zvicrën.

Mediat gjatë viteve të kaluara dhe këtë vit kanë shkruar disa herë lidhur me deklarimet e tij kontroverse mbi homoseksualizmin, hebrenjtë etj., shkruan albinfo.ch. Së fundi ai është përfolur për akuzat për “terrorizëm” që i ka drejtuar gruas së moshuar që ka vrarë në Bazel në mars të këtij viti një fëmijë shqiptar.

Siç shkruan gazeta “Schweiz am Wochenende”, Ardain Elezi në kuvendin e fundit të xhamisë së tij ka njoftuar besimtarët se do të jepte dorëheqje nga posti i imamit dhe se do ta braktiste Zvicrën.

Por se ku ka shkuar ai, është e paqartë. Sipas Lukas Ott, funksionar në komunën e Bazelit, frekuentuesit e xhamisë kanë versione të ndryshme lidhur me vendndodhjen e Elezit. Kjo për faktin se ai nuk është deklaruar qartë.

“Disa thonë se ai ka emigruar në Rusi, e të tjerët, se ai është duke absolvuar studimet e masterit në Jordani”, thotë Ott.

Deklarimi i tij i fundit për vrasësen e fëmijës nga Bazeli pasi ka arritur në ballinat e gazetave zvicerane, ka bërë që ai të ftohet në bisedë sqaruese në zyrën për religjione të qytetit të Bazelit, përcjell albinfo.ch. Drejtuesi i kësaj zyreje, David Atwood, siç shkruan gazeta duke iu referuar Lukas Ott, “i ka sqaruar atij kufijtë e të tolerueshmes në Zvicër”.

Ndër të tjerat Ardian Elezi kishte bërë jehonë me “këshillat” që u kishte dhënë myslimanëve vite më parë që “gjatë verës të qëndrojnë në shtëpi, në mënyrë që të mos tundohen nga gratë gjysmë të zhveshura” që do t`i shohin rrugës.

Për homseksualët ai, siç mund të shihet në një video, ka thënë se janë “kancer kundër moralit”, ndërsa hebrenjtë i ka quajtur si “të pashpirtë” etj.