Zhdukja e pilotit Sinan Vitija në Maqedoni, 25 vite pa asnjë gjurmë/FOTO

10.03.2019 13:37:35

Nga Mehmet Latifi/

Pas publikimit të shkrimit me titull “ Jasen fshehë mëkatet e APJ-së”, botuar në të përditshmen “Vreme”, ku thuhet se janë gjetur tre skelete të njeriut, të moshës së mesme, të vjetër sipas vlerësimeve preliminare të mjekologjorëve, më së paku 25 vjet (!?), na bën të dyshojmë dhe të vemë në sprovë edhe eskpertët forenzik dhe patologët, që tashmë duhet të krijojnë apo sajojnë edhe fotorobotët e viktimave, se moz vallë mund të jetë ndër viktimat edhe piloti shqiptar, Sinan Abedin Vitija (1961), i arrestuar në aeroportin e Shkupit, më 28 nëntor të vitit 1993 dhe që atëhere i zhduken gjurmët.

Të rikujtojmë opinionin për rastin e zhdukjes së Sinan Vitisë

Dëshmitarë i arrestimit të Sinanit është vëllai i tijë Hashim Vitija. Deportimi (s)është bërë për shkak se Sinan Vitija ka qënë në listën e oficerëve të kërkuar shqiptar nga ish APJ. Miqësia, kooperimi dhe bashkëpunimi MPB-së së Maqedonisë, me organet e athershme sekrete serbe, (s)e ka dorëzuar Sinanin. Kjo është bërë me dijeninë e plotë të ministrit të athershëm të brendshëm Lubomir Frçkovski. Ç’thonë institucionet kroate?

Zhdukja enigmatike e pilotit dhe instruktorit të pilotimit të aeroplanëve luftarak, Sinan Abedin Vitija ( 1.05.1961) nga Konjuhi i Lipjanit, me banim në Zarë, dhe me shtetësi kroate, që nga dita e zhdukjes mban në ankth familjen, shokët, miqët dhe më gjërë.

Kapiteni i kl.të parë të aviacionit luftarak në ish Jugosllavi, më 1986, në aferën e mirënjohur të KOS-it famoz, (Shërbimit ushtarak të kundërzbulimit), Sinan Vitija, ka qënë një ndër ata oficer shqiptar të keqtrajtuar dhe persekutuar në ish APJ, bashkë me shumë të tjerë-si Rrahim Ademi, Skender Hasimi, Ahmet Krasniqi-i ndjerë, etj. Në momentin e shpërthimit të konflikteve të ish Jugosllavi, Sinan Vitija ka bërë kërkesë zyrtare për demobilizim nga ish APJ, mirëpo ligjet rigjide të asaj ushtrie vrastare, nuk kanë mundësuar demobilizim në gjendje lufte. Sinani, duke përdorur shkathtësinë dhe zhdërvjelltësinë e vet, ka gjetur mënyrë për të braktisur ushtrinë vrastare dhe i është bashkangjitur forcave çlirimtare kroate. Për mbrojtjen e Zarës, Sinan Vitija ka formuar një njësitë ushtarak shqiptar, të cilin e kanë emëruar “Skenderbeu”, duke u emëruar komandat i atij njësiti. Ky njësitë, i është bashkangjitur Gardës kroate për mbrojtjen e Zarës. Për këtë dëshmon edhe “Deklarata solemne” që është bërë pranë Shtabit të Krizës, në fshatin Përkos, më datë 11.02.1992. Ka marë pjesë aktive në çlirimin e “Urës së Maslenicës”, që lidhte Dalmacinë me pjesën tjetër të brëndisë së Kroacisë, (që është një ngjarje e veçantë për Sinanin dhe njësitin e tij shqiptar, me emrin “Skenderbeu”, komandant i se cilit njesit ishte Sinan Vitia).

Pas përfundimit të Luftës në pjesën e Zarës-Dalmaci, Sinan Vitija, për një kohë demobilizohet, për t’iu përkushtuar familjes, bashkëshortes Sevdije dhe fëmijve; djalit Fisnikut (4 dhjetor 1988) dhe vajzës Fatbardhës (1 gusht 1991). Mirëpo, për shkak të gjendjes shëndetësore, shkon për kurim në Gjermani. Me 28 nëntor 1993, ai vjen me linjën e rregullt të fluturimit nga Gjermania dhe zbret në aeroportin “Petrovec” të Shkupit. Zbritjen e tijë në aeroport e ka konfirmuar vëllai Hashim Vitija.

Po të njëjtin pohim e ka bërë më 1996 ministri i MPB-së Tomisllav Çokrevski, në pyetjen e deputetit të atëhershëm Nazmi Maliqi. Nuk ka asnjë dilemë se Sinan Vitija ka qënë në duar të policisë maqedonase. Nga pohimi i ministrit Çokrevski, rezulton se ai është dorëzuar organeve policore serbo-jugosllave. Është fakt se Sinan Abedin Vitija, ka qënë në listën e arrestit të oficerëve shqiptar, në kërkim nga organet policore dhe ushtarake serbe, me status të dezertorit të luftës.

“Sinan Vitia është arrestuar në bazë të konstatimit të pasaportës së rreme kroate dhe meqenëse ai është shtetas i Jugosllavisë, u është dorëzuar organeve policore jugosllave”, shkruan ministri i athershëm i brëndshëm i Maqedonisë, Tomisllav Çokrevski, duke iu përgjigjur me shkrim pyetjes së deputetit të athershëm Nazmi Maliqi, lidhur me Sinan Vitinë. .

Ekspertë të kësaj lëmie thonë së ky dorëzim(?) i pilotit Vitia në duart e policisë serbe konsiderohet i kundërligjshëm, duke lënë hapësira për tu diskutuar nëse pas këtij ekstradimi apo deportimi fshihet diçka tjetër. Megjithatë rasti bëhet i qartë pasiqë autoritetet kroate konfirmojnë se pasaporta me të cilën ka udhëtuar Sinan Vitia ka qënë e rregullt dhe ai ka qënë shtetas kroat, duke mos patur asnjë shtetësi tjetër.

Sipas njohurive dhe informacioneve që disponojmë, pas dorëzimit (?), Sinan Vitija është mbajtur 4 ditë në paraburgim ushtarak në Prishtinë. Prej aty është “përcjellur” në Nish. Prej Nishi humbet çdo gjurmë e tijë! Ka thashë e thëna se është dërguar në “CZ” (burgu qëndror”) në Beograd, por këtë askush nuk e konfirmon.

Dilemat janë: Mbi bazë të cilave konventa ndërkombëtare, kritere dhe dispozita ligjore, shtetasi kroat i dorëzohet organeve policore serbe, kur dihet se ai nuk është shtetas serb? Pse kanë vepruar organet policore maqedonase në këtë rast kësisoji dhe cili është motivi? Mbase, kooperimi dhe marëdhëniet “aq të mira” të ministrit të athershëm të MPB-së Lubomir Fërçkovski (ministër i brëndshëm 1992-1995), me organet policore serbe, duke ditur se çka përjetojnë të gjithë ata që kanë reputacionin e luftëtarit kroat kur bien në duart e organeve policore serbe. Shqiptari, Sinan Abedin Vitija, pilot dhe shtetas i Kroacisë, i dorëzohet Serbisë, me procedurë zyrtare konform “normave ndërkombëtare”, pa letër kthyese-konfirmuese për pranim-dorëzim të personit dhe nuk ka asnjë sqarim zyrtar se kujt i është dorëzuar, dhe cili është fati i tijë? Habitë edhe indiferenca e vetë shtetit kroat dhe shoqatave të luftëtarëve, të dala nga lufta. Habitë sjellja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni dhe Kroaci. Habitë sjellja e Shoqatës së viktimologëve botëror, (kryetar i së cilës ishte akademiku Zvonimir Sheparoviq nga Kroacia). Habitë fakti i sjelljes indolente e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Kryetari i të gjitha shoqatave të luftëtarëve në Kroaci, kolonelit Ivan Grujic, që merret me këtë problematikë, sidomos për të zhdukurit gjatë luftës në Kroaci.Ai, Ivan Grujiq, pas kontakteve të shumta është prononcuar se nuk ka asnjë njoftim për Sinan Vitinë. Po nga kjo Zyrë (e shoqatave për personat e zhdukur në Zagreb), Zdenko Ognjençiq, ngjashëm si më parë gjatë kontakteve shprehet: “Ka kaluar kohë e gjatë nga zhdukja, ndaj preferoj, dhe është e mirëseardhur që familjarët e Sinan Vitisë, vëllezërit, bashkëshortja dhe fëmijtë, të ndihmojnë në identifikimin e kufomave nga varrezat e shumta në Kollubarë, Padinska Skelë, Mitrovicë, Batajnicë, Ovçar etj, duke dhënë materiale për ADN (DNK) analizën”. E gjithë kjo, nuk jep shpresë për familjen e Sinan Abedin Vitisë, por shton ankthin. Për këtë askush nuk e ngrenë zërin e arsyes. Përpjekjet e parreshtura, megjithate nuk e sollën Sinanin, e as nuk sollën njoftime fatlume.

Lubomir Fërçkovski, pas dorëzimit të detyrës së ministrit të brëndshëm-më 1995, avancohet në ministër të jashtëm! Lubomir Fërçkovski dhe Tomisllav Çokrevski, që të dy, doktor të shkencave juridike, profesor universitar (Çokrevski ka qënë bile edhe Rektor në Universitetin e Shkupit), kanë ushtruar detyrën e ministrit të brëndshëm, e para kësaj, që të dy, kanë qënë Kryetar të Komitetit të Helsinkit, për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut! Kjo mbase është dëshmia më e mirë pse është dorëzuar Sinan Vitija në duart gjakatare të organeve policore serbe.

Bashkëshortja e tij Sevdije Vitija (Sadriu), që edhe sot e kësaj dite jeton në Zarë, gjatë tërë këtyre viteve tashmë po mbushen 16-të, është ballafaquar me sfida të shumta që sjell ironia e jetës. Jeton me ndihmë minimale sociale dhe ndihmën që i ofrojnë disa familje shqiptare në Zarë. Ka një arkiv, një grumbull shkresash, nga letërkëmbimi me organet zyrtare dhe organizatat joqeveritare, brënda dhe jashtë Kroacisë, në pamundësi për të hulumtuar rastin duke lëvizur-kuptohet në mungesë të mjeteve materiale, që në masë të madhe ia vështërson edhe gjendjen jo të lakmueshme shëndetësore.

Në bazë të informacioneve supozuese, për të gjetur gjurmë të Sinan Vitisë, përkundër rrezikut të paimagjinuar, në dhjetor të vitit 2000, personalisht kam vizituar disa azile dhe spitale neuropsikiatrike të Serbisë, si në Vrshac, Sremska Mitrovicë, Pozharevc, Padinska Skelë, për të hulumtuar mos vallë, gjindej aty, ky djalë shqiptari, por, fatkeqësisht u këtheva bosh. Gjurmët, mbase i kishte mbuluar bora e nëntorit 1993, pluhuri dhe harresa. Tani, edhe pas 25 viteve të arrestimit të Sinan Vitisë, deportimit ose jo, të tijë, dorëzimit ose jo, në duart e policisë famëkeqe serbe, mbetet i paqartë rasti, mbetet dhimbja dhe errësira.