Zhvillimet destabilizuese dhe kundërperëndimore në Kosovë ia kanë lehtësuar Serbisë rrugën drejt BE-së

06.02.2018 15:57:42

Nga Rexhep Kastrati

Tashmë është bërë e qartë se Serbia është në krye të shteteve ballkanike për t’u bërë anëtare e BE-së, e që është një zhvillim shumë interesant dhe rezultat edhe i angazhimeve të dëmshme brenda Kosovës.

Duhe të kujtojmë se Serbia më 2015 ishte nën trysni të fuqishme nga BE për zbatimin e Kapitullit 35, e që kishte hapur debat të fortë brenda institucioneve dhe të shoqërisë serbe. Madje ish-presidenti i Serbisë, Vojislav Nikoliq kishte deklaruar se nëse shtetit të tij do t’i imponohej Kapitulli 35, atëherë do të mund të kishte luftë civile.

Dhe qysh atëherë kam thënë se Serbia po mundohet që të eskportojë destabilitet në Kosovë dhe në rajon, në mënyrë që të mund të shmangte këtë Kapitull. Duke bartur dhe prodhuar destabilitet në Kosovë dhe në rajon, Serbiasynonte që të shmangte negociatat në Bruksel, të shmangte kushtëzimet, dhe të komprometonte Kosovën dhe shqiptarët.

Zhvillimet e dhunshme, anarkiste dhe në kufijtë e terrorizmit në Kosovë, patën pasoja shumë të rënda për shtetin tonë, por i hapën Serbisë perspektivë evropiane. Përveç ngecjes në procesin e integrimit evropian, ku jo që nuk po bëhet fjalë për hapje negociatash me BE-në, por as nuk dihet a do të bëhet dhe kur liberalizimi i vizave, Kosova dështoi të anëtarësohej në UNESCO.

Vazhdimi i politikave kundërperëndimore, refuzimi për të zbatuar kushtet e BE-së për liberalizimin e vizave, aktivitetet për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, kanë thelluar edhe më tej krizën në marrëdhëniet me BE-në dhe kanë shtyrë shumë procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Kurse Serbia, nga një shtet me shumë kushtëzime, me vonesat në përfshirje në procesin e integrimit evropian, edhe pse ishte shumë mbrapa shtetit shqiptar dhe në përgjithësi ishte në fazat fillestare të këtij procesi, gjatë dy-tri viteve të fundit bëri hapa të fuqishëm përpara dhe tash është në krye të listës së shteteve me gjasa reale për anëtarësim në BE.

Edhe pse normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është një nga kushtet kryesore, megjithatë Serbia tashmë qartësisht është përpara, kurse Kosova normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e ka si kusht për të vazhduar hapa të tjerë në këtë proces, por shumë mbrapa Serbisë.

Në bazë të asaj që përmban Strategjia e BE-së për Integrimin dhe në bazë të asaj që thanë komisionerja Moghereini dhe komisioneri Han, vlerësimi për shtetet do të jetë individual, e nuk lanë shpresë se anëtarësimi i shteteve ballkanike në BE do të mund të bëhet an block, e që mund ta vështirësojë edhe më shumë rrugën e Kosovës drejt BE-së.

Vazhdimi i praktikave dhe politikave të gjertanishme refuzuese, kundërperëndimore dhe zhvillimet e mundshme destabilizuese në Kosovë, mund ta bëjnë edhe më të lehtë rrugën e Serbisë drejt BE-së, e shumë të vështirë dhe të rëndë rrugën e Kosovës.