Zidane “ankohet” për dëmtimet, por kërkon fitore

25.11.2016 19:56:38

Do ta vizitojë Sporting Gijon këtë fundjavë “Santiago Bernabeun” ku Reali i Madridit do të kërkojë të konfirmohet skuadra e momentit në Spanjë, por konferenca e shtypit të Zinedine Zidane analizoi situatën disi delikate në skuadrën e tij. Kreyefjala e kësaj jave në skuadrën “Los Blancos” janë dëmtimet dhe trajneri francez me të drejtë u ndal gjatë në këtë çështje.

“Është shumë e vështirë kur ke shumë të dëmtuar. Ata që punojnë për klubin po bëjnë gjithçka është e mundur sepse dëmtimet ndodhin në fushë. Ndihem keq kur shikoj një lojtar të dëmtuar. Bale do të qëndrojë jashtë fushave për një kohë të gjatë por ne do të vazhdojmë rrugën tonë dhe do të japim maksimumin kundër Gijonit sepse kjo është një ndeshje shumë e komplikuar. Varane dhe Bale janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për ne por tani le të shpresojmë që të rikthehen sa më shpejt”.

Në vijim, Zidane analizon momentin e Sergio Ramos duke theksuar se kapiteni është gati për të zbritur në fushë por nuk ka marrë ende asnjë vendim për aktivizimin e tij, ndërsa përqëndrohet edhe te situata që po kalon James.

“Vendimet i marr unë. E di që James duhet të luajë më shumë sepse një lojtar i klasit të tij ka nevojë për shumë minuta në këmbë. Gjithsesi, e theksoj, më duhet të marr vendime të rëndësishme shpesh herë dhe në këto momente edhe lojtarët e tjerë që aktivizohen po tregojnë gjëra pozitive.

30 ndeshje pa humbje janë një sukses më vete për trajnerin francez që gjithsesi kërkon të mbajë skuadrën me këmbë në tokë.

“Fitoret janë shumë të rëndësishme për këtë skuadër pasi ne jetojmë për këto suksese. Këtë e di shumë mirë sepse kam qenë lojtar por edhe si trajner dua të fitojmë sa më shumë ndeshje dhe trofe. Unë jam shumë i motivuar, pavarësisht se shpoesh herë na kritikojnë për stilin e lojës. Ne kemi ende marzhe përmirësimi”.