Zidane flet para Barcelonës: Titullin nuk e vendos “El Clasico”!

22.04.2017 13:21:16

Zinedine Zidane, trajneri i Real Madrid, u paraqit para mediave një ditë para “El Clasicco” kundër Barcelonës. Ai tha se të tijtë nuk janë favoritë në këtë përballje, e cila pritet të përcaktojë dukshëm fatin e titullit në La Liga. Referuar rëndësisë së një dueli të tillë, trajneri francez nënvizoi: “Kjo është një lojë mjaft e rëndësishme për ne, por edhe Barcelonën. Nuk jam këtu për të bërë parashikime, por pres që të vazhdojmë të bëjmë atë që jemi duke bërë. Nëse Real Madridi fiton “El Clasico”, e ka fituar kampionatin? Jo, aspak. Kjo është një ndeshje mjaft me rëndësi, por mbeten të luhen edhe shtatë të tjera deri në fund. Duhet ta kalojë me sukses “El Clasico”, pastaj të shohim çfarë do të ndodhë në vazhdim.

Gareth Bale? Do të jetë me ne nesër. Hap pas hapi do të shohim nëse do të startojë nga fillimi, apo jo. Kemi ende vendime për të marrë, sa i takon formacionit. Barcelona vjen e goditur nga eliminimi në Champions? Ka shumë njerëz që mendojnë se ne jemi më të sigurtë, referuar asaj që ndodhi të martën, por unë nuk i bëj llogaritë kështu. Jemi shumë të përqendruar në atë që duhet të bëjmë nesër. Nuk po mendojmë fare se çfarë do të ndodhë më pas, apo çfarë kemi bërë deri tani. Jemi totalisht të fokusuar te përballja e nesërme, ku do të japim maksimumin dhe do të kërkojmë fitoren.

Presioni është mbi Barcelonën? Unë nuk jam duke spekuluar mbi rivalin. Ne kemi një ndeshje direkte me rivalin kryesor për titull, që ka tri pikë më pak për momentin, ndaj do të përpiqemi të japim e marrim maksimumin. Tifozët, lojtarët dhe i gjithë klubi është duke bërë maksimumin për ta fituar ndeshjen. A ka favoritë? Jo, sepse kjo është një lojë, ku ju duhet të luani, të luftoni e të punoni fort në fushë, për të fituar. Ne nuk jemi favoritë. Njerëzit nga jashtë mund të mendojnë kështu, por ne luajmë kundër një ekip të madh. Ne do të përgatisim çdo detaj shumë mirë, pa u bazuar në asgjë tjetër.” /telesport.al/