Zidane: Kemi ende uri, Ronaldo më i miri

22.05.2018 17:01:11

Të shtunën në mbrëmje Reali i Madridit do të kërkojë triumfin e 13-të në histori dhe të 3-in radhazi në Champions League. 4 ditë përpara supersfidës ndaj Liverpoolit, trajneri Zinedine Zidane ka folur në lidhje me finalen, duke mos pranuar në mënyrën më absolute që Liverpooli ka më shumë etje për sukses se sa “los blancos”

“Askush nuk mund të thotë që Liverpooli ka më shumë etje se Reali, askush. Dëshirë jonë për fitore, impenjimi, besimi ynë nuk kanë ndryshuar aspak. Jemi Reali i Madridit dhe ky klub është ndërtuar për të kërkuar gjithnjë diçka më shumë. Japim gjithçka për të bërë më të mirën”, deklaroi Zidane.

Nëse shumë trajnerë kanë të vështirë për të ndërtuar një formacion konkurrues, tekniku francez ka një tjetër problem, të zgjedhë 11 më të mirët mes një grupi të përbërë nga kampionë.

“Mendoj se kjo është pjesa më e dhimbshme e kësaj pune. Sepse përveç lojtarëve që do të qëndrojnë në stol, do të ketë disa të tjerë të cilët kanë kontribuar që Reali të vijë në finale, por që do të jenë në tribunë. Nuk e meritojnë, por kështu është futbolli. Formacionin nuk do ta zbuloj deri para ndeshjes”, tha trajneri i madrilenëve.

Francezi 45-vjeçar nuk i kursen asnjëherë lëvdatat për yllin e skuadrës, Cristiano Ronaldo dhe elozhet në drejtim të portugezit vijuan edhe në këtë konferencë

“Ronaldo apo Salah?! Unë mbaj Rondalon, është lojtari më i mirë në botë”, thotë prerë Zidane.

Reali i Madridit do të ketë mundësinë të thyej rekordin që e mban po vetë duke u bërë skuadra e parë në histori që fiton 3 herë radhazi Uefa Champions Leaguen.