Zjarri në Trepçë, Lluka: Minatorët e ngujuar janë jashtë rrezikut për jetë

22.01.2019 15:48:25

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka reaguar për lajmin se afër 100 minatorë të Trepçës janë ngujuar pas zjarrit të rënë në njërën nga trafot elektrike të kësaj ndërmarrjeje.

Përmes një postimi në Facebook, Lluka ka bërë të ditur se 10 minatorë janë brenda minierës mirëpo jashtë rrezikut për jetë.

Ai ka thënë se miniera ka ajrorjse natyrale, dhe kjo sipas personave përgjegjës është ndihmesë rreth kësaj situate.

Ky është postimi i plotë i Llukës në Facebook:

Me shqetësim po e ndjeki situatën në Trepçë ku një trafo 110 kv është djegur tërësisht, duke ndërprerë energjinë elektrike për minierën kryesore të Stan Tërgut si dhe duke lënë disa fshatra pa energji elektrike.

Në bisedën që kisha me persona përgjegjës dhe sindikatën, rreth 10 minatorë janë brenda në minierë, pa rrezik për jetë. Ekipet e shpëtimit janë në vendngjarje dhe po punojnë që t’i shpëtojnë të gjithë minatorët.

Miniera ka ajrosje natyrale prandaj, sipas personave përgjegjës në teren, nuk paraqet rrezik serioz mungesa e ajrosjes.

Lutem që të gjithë minatorët të jenë mirë me shëndet dhe së shpejti ti bashkohen familjeve të tyre.