Zogiani: Me marrëveshjet infrastrukturore Kosova mbetet tranzit, Serbia forcohet

20.09.2020 13:12:17

Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë një konference për media ka thënë se Marrëveshja për stabilizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, është negociuar në kurriz të Kosovës.

Sipas tij me pikën për autostradën, hekurudhën dhe linjën ajrore që lidh Kosovën dhe Serbinë si dhe pikat e tjera, Kosova po vazhdon të “sillet si autoritet jo shtetëror”.

“Kur flitet për hekurudha, autostrada, në këto marrëveshje nuk gjenden referenca për pikat kalimtare si pika kufitare. Vazhdojmë të pranojmë një proces që thellon sjelljen e Kosovës si autoritet jo shtetëror. Marrëveshje infrastrukturore forcojnë jashtëzakonisht rolin e Serbisë në rrjetin ndërkombëtar të transportit. Serbia do jetë vendi ku do kalojnë dy korridore”, ka thënë ai.

Zogiani ka thënë se me këtë marrëveshje, zhvillimi i Kosovës do të lidhet me atë të Serbisë.

Nga kjo marrëveshje, Kosova po mbetet tranzit, ka thënë Zogiani.

“Një fakt që është konsistent në këto marrëveshje është se Kosova po mbetet thjesht një vend tranzit ku mallrat që kalojnë për Kosovë janë të lira kurse ato me origjinë nga Kosova pengohen. Kosova ka nënshkruar marrëveshje në bazë të cilës do hapet linjë speciale Prishtinë-Beograd por Kosova vazhdon të ketë probleme me linjën ajrore”, tha ai.