Zuckerberg nuk e pret mire vendimin e Trump për Muslimanet

28.01.2017 09:24:35

E gjithë bota është duke reaguar pas urdhrave që Donald Trump ka nënshkruar, për t’ua ndaluar hyrjen në SHBA myslimanëve nga disa vende të botës si Siria, Jemeni dhe Iraku.

Dhe në mesin e atyre që reaguan është edhe themeluesi i Facebook, Mark Zukerberg.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar:

“Stërgjyshërit e mi erdhën nga Gjermania, Austria dhe Polonia. Prindërit e Priscilla-së ishin refugjatë nga Kina dhe Vietnami. Shtetet e Bashkuara janë një komb i emigrantëve, dhe ne duhet të jemi krenar për këtë.

Ashtu si shumë prej jush, jam i brengosur rreth ndikimit të urdhrave të fundit ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti Trump. Ne kemi nevojë ta mbajmë këtë vend të sigurt, por këtë duhet ta bëjmë duke u fokusuar në njerëzit të cilët përbëjnë kërcënim të vërtetë.

Zgjerimi i fokusit të zbatimit të ligjit përtej njerëzve të cilët janë kërcënim real do t’i bëjë të gjithë amerikanët më pak të sigurt nga burimet ndarëse, përderisa miliona njerëz pa dokumente të cilët nuk përbëjnë një kërcënim do të jetojnë me frikën e dëbimit.

Ne gjithashtu do të duhej t’i mbanim dyert hapur për refugjatët dhe ata që kërkojnë ndihmë. Kjo është ajo që jemi. Nëse do t’i largonim refugjatët disa dekada më parë, familja e Priscilla-së nuk do të ishin sot këtu.

U gëzova kur e dëgjova Presidentin Trump duke thënë se do të punojë “diçka” për ëndërrimtarët – emigrantët të cilët u sollën në këtë vend në moshë të re nga prindërit e tyre. Tani për tani, 750,000 ëndërrimtarë përfitojnë nga programi DACA (shërbim të ardhurash për fëmijë) që ua mundëson atyre të jetojnë dhe punojnë legalisht në SHBA. Shpresoj se Presidenti dhe ekipi i tij do t’i mbaj këto mbrojtje në vend, dhe gjatë javëve të ardhshme do të punoj me ekipin tonë në FWD.us për të gjetur mënyra se si mund të ndihmojmë.

Gëzohem gjithashtu që Presidenti beson se vendi ynë duhet të vazhdojë të përfitojë nga “njerëzit e talentuar që vijnë në vend”. Këto çështje janë personale për mua edhe përtej familjes sime. Disa vite më parë, kam dhënë mësim në një klasë në një shkollë të mesme vendase, ku disa nga nxënësit e mi më të mirë ishin pa dokumente.

Ata janë e ardhmja jonë gjithashtu. Ne jemi një komb i emigrantëve, dhe të gjithë përfitojmë kur më të mirët e botës mund të jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë këtu. Shpresoj se do të gjejmë guximin dhe dhembshurinë për t’i bashkuar njerëzit dhe për ta bërë këtë botë një vend më të mirë për të gjithë”.