Zv/ministrja e Shëndetësisë: Bëni kujdes, infektohesh dhe po ta vendosësh maskën gabim

01.07.2020 21:57:01

Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se infektimi i qendrave shëndetësore është fenomen që ka ndodhur edhe në vende të tjera të botës.

Sipas saj, kjo ka ardhur edhe si pasojë e hapjes dhe rikthimit të shërbimeve të QSUT-së.

“Infektimi i qendrave shëndetësore është fenomen që ka ndodhur edhe në vende të tjera të botës. Deri në momentin e hapjes kishim vënë kufizimi në shërbimin shëndetësor dhe pas hapjes e vumë në shërbim të plotë. Masat janë marrë,

Po ta shohim në QSUT, nga 58 shërbime që ofrohen, vetëm 2 patën probleme. Tek Infektivi që është një spital me shumë infeksione, Trauma është shndërruar në një spital urgjence dhe nuk ka asnjë lloj probleme të shpërndarjes së infeksionit. Njerëzit që vijnë në spitale janë njerëz që janë më vulnerabël kundrejt infektimit. Ndërsa edhe mjekët kanë një jetë sociale dhe shkojnë nëpër kafene,” tha ajo në Ora News.

Rakacolli shtoi se mjekët i kanë pasur masat mbrojtëse, por tha se po të mos dish t’i përdorësh tamam, mund të bëhesh edhe burim infeksioni

“Mjekët i kanë pasur mjetet e mbrojtjes personale, i kanë përdorur, por përdorimi i tyre është edhe pak problematik, se po të mos dish ta përdorësh tamam, mund të bëhesh edhe burim infeksioni. Unë p.sh kam kapur edhe veten time, që duke folur, e kam kapur maskën me duart dhe mund të marrësh infeksionin,” u shpreh ajo.