Zvicër: Plagoset një shqiptar nga njerku i tij (Foto)

20.02.2017 23:29:00

Një shqiptar është plagosur këtë të hënë në Zvicër dhe sipas medieve lokale, ndodhet në gjendje të rëndë.

Të shtëna u dëgjuar paraditen e sotme në Gerlafingen, në kantonin e Solothurn, pas një konflikti mes dy burrave.

Një prej tyre, është plagosur rëndë dhe u transportua me helikopter në spital.

“Autori është dorëzuar”, tha zëdhënësi i policisë së Solothurn, Thomas Kummer. Ai është një 54-vjeçar zviceran. Dinamika e saktë e ngjarjes dhe motivi mbetet për tu zbardhur.

Sipas medias zvicerane “20 Minuten”, i plagosuri është një 29-vjeçar shqiptar me iniciale A.A., baba i dy vajzave.

Ndërsa, autori raportohet se është njerku i shqiptarit.

Një fqinj ka shkuar në banesën ku jetonte shqiptari me të shoqen, Gjilimser A. dhe ka treguar se e ka gjetur atë “të mbuluar në gjak, sepse ajo kishte mbajtur në krahë bashkëshortin, i cili ishte plagosur rëndë”. Güler Yavuz, 51-vjeç, ka thënë se gruaja “ishte në shok” dhe e paaftë për të folur. Një tjetër dëshmitar thotë se çifti kishte probleme.

Raportohet se të shtënat kanë ndodhur pikërisht në banesë.