Zvicra ratifikoi marrëveshjen për sigurime sociale më Kosovën

20.06.2019 18:12:54

Sot Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Konfederatës Helvetike (Zvicrës) z. Jean-Hubert Lebet, më dorëzoi Notën Verbale mbi ratifikimin e marrëveshjes historike për Sigurimet Sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës, marrëveshje kjo e cila tashmë është ratifikuar edhe nga shteti Zviceran.

Ky është një lajm i rëndësishëm për të gjithë qytetarët dhe shtetin e Kosovës, sepse me ratifikimin e kësaj marrëveshje më në fund triumfoj e drejta e qytetarëve për të ripërfituar nga pensionet dhe beneficionet, e drejt e cila iu mohua me vite të tëra shumë bashkëkombasve tanë të cilët për vite të tëra kanë derdhur djersën e tyre me kontributin e dhënë për shtetin Zviceran dhe për mbijetesën e familjeve të tyre në Kosovë.

Falënderojmë të gjithë bashkëpunëtorët tanë për realizimin e kësaj marrëveshje dhe gjithashtu një falënderim të veçantë edhe për shtetin tonë mik Zvicrën, e cila ka shprehur gatishmërinë që të zgjidhim një herë e mirë çështjen e Sigurimeve Sociale, e cila do të hap rrugë për nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla edhe me shtete të tjera.

Qytetarët tanë do të njoftohen së shpejti nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale,  lidhur me këtë marrëveshjeje dhe të gjitha procedurat për aplikim dhe realizim të të drejtave të tyre.

Urime të gjithë qytetarëve, urime të gjithë pensionistëve përfitues të Kosovës.