Zvicra tërheq kërkesën, ministri: Nuk duam të hyjmë në BE

02.08.2016 16:04:03

Zvicra zyrtarisht e ka informuar Brukselin se është tërhequr nga kërkesa për anëtarësim në BE, të cilën e kishte paraqitur në vitin 1992.

“Ne kemi një marrëveshje bilaterale me partnerët tanë më të ngushtë në BE, por nuk duam të hyjmë në Evropë”, tha ministri i Jashtëm i Zvicrës, Didier Burkhalter, në qytetin Valorb, ku mori pjesë në një mbledhje solemne me rastin e 725-vjetorit të themelimit të Konfederatës së Zvicrës.

“Këshilli Federal (qeveria) ka konfirmuar vendimin tonë, pasi kishte informuar ditë më parë BE-në, me kërkesë të Parlamentit, se kërkesa për anëtarësim në vitin 1992 është e pavlefshme për shkak të votave në çështjen e Zonës Ekonomike Evropiane dhe, për këtë arsye, ajo duhet të konsiderohet e tërhequr”, tha ministri.

Aplikimi për anëtarësim ishte paraqitur nga Zvicra në maj të vitit 1992. Por, në dhjetor të atij viti në Zvicër ka pasur një referendum dhe pastaj qytetarët me një avantazh të vogël (50.3 për qind) votuan kundër anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Këmbëngulja për tërheqjen e kërkesës erdhi nga konservatorët e krahut të djathtë, nga Partia Popullore e Zvicrës, e cila afrimin me BE-në e përjeton si kërcënim për sovranitetin e Konfederatës.

Zvicra tregon qartë se është për një Evropë, në të cilën mirëqenia nuk është e lidhur zakonisht me BE-në, transmeton albinfo.ch. Sipas të dhënave statistikore, të ardhurat mesatare të popullsisë në Zvicër tejkalojnë 1.3 herë ato në Gjermani dhe 1.7 herë ato në Francë dhe në Itali.