Zyrtare, Deulofeu lojtar i Milanit

23.01.2017 20:44:44

Tashmë është zyrtare, Gerard Deulofeu, është futbollisti më i ri i Milanit.  Klubi kuqezi komunikoi afrimin e sulmuesit të talentuar spanjoll, ndërsa 22-vjecari përkrah administratorit të deleguar Adriano Galliani pozoi me fanellën e tij të re. Deulofeu është transferuar te Milani në formë huazimi nga Evertoni deri në përfundim të këtij sezoni. Ish futbollisti i Barcelonës udhëtoi drejt Milanos mbrëmjen e të Dielës ndërkohë që mëngjesin e kësaj të Hëne kaloi me sukses edhe vizitat mjeëskore. Deulofeu ishte përforcimi që kërkonte trajneri Montella për sulmin. Te kuqezinjtë ai do të ritakohet me Suson dhe Baccën. Me të parin ka luajtur te përfaqësuesja U-21 e Spanjës ndërsa me sulmuesin kolumbian kanë qenë bashkë te Sevilla. Montella shpreson ta ketë të gatshëm lojtarin që për sfidën e të Mërkurës ndaj Juventusit e vlefshme për cerekfinalet e Kupës së Italisë.  Deulofeu te Milani do të mbajë veshur fanellën me numër 7, ndërkohë që mund të jetë një alternativë shumë e vlefshme në treshen e sulmit përkrah Susos dhe Baccës duke parë formën e dobët që po shfaq Niang gjatë kësaj periudhe.