Zyrtare: Wolfsburg blen një “xhevahir” të kontinentit

14.12.2016 18:31:31

Wolfsburg sot njoftoi se ka firmosur me mesfushorin Riechedly Bazoer, një nga talentet më premtues në Evropë. 20-vjeçari ka fituar vëmendjen e shumë klubeve elitare të kontinentit me performancat e tij tek Ajax. Në fund, betejën e kanë fituar gjermanët, të cilët e kanë bindur djaloshin të firmosë një kontratë prej katër vitesh e gjysmë në “Volkswagen Arena”. Wolfsburg ka paguar 12 milionë euro për lojtarin i cili ka luajtur gjashtë ndeshje me kombëtaren holandeze.

Kemi kohë që merremi me këtë transferim dhe tani jemi shumë të lumtur që Bazoer na zgjodhi neve, edhe pse ka pasur oferta shumë të mira“, – tha Olaf Rebbe, kreu i sportit në klubin gjerman. “Ai është vetëm në fillim të karrierës së tij dhe ne jemi të bindur se ai do ta bëjë hapin e radhës duke luajtur me fanellën e skuadrës sonë”, – shtoi ai. Faktikisht, njoftimi i këtij transferimi vjen në një kohë të keqe për “Ujqërit”, të cilët aktualisht renditen në vend të 15-të në tabelën e klasifikimit të Bundesligës.