Zyrtarët e LDK-së me qëndrime të ndryshme për dialogun

31.07.2018 11:56:34

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka kritikuar bashkëpartiakun e tij, Kujtim Shala i cili një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës shprehu gatishmërinë që LDK ta udhëheqë procesin e dialogut.

Haziri në një postim në rrjetin social Facebook tha se ka kaluar koha kur deputetët dalin në foltore dhe moralizojnë se kush mund të flasë në emër të Kosovës.

Ai shkruan se është ‘skandal logjik’ që të jenë për dhe kundër dialogut

“Ka kaluar koha kur deputetët dalin në foltore dhe moralizojnë se kush mund të flas në emër të Kosovës. Dje dëgjuam fjalime se ‘ka kaluar koha kur njëshi flet, por edhe ne jemi gati pas legjitimitetit të marrim obligime për negociata’. Si duket është pak skandal logjik. Edhe për edhe kundër. Për, nëse jam unë, kundër, nëse është ai!”.

Ndryshe, deputeti i LDK-së, Kujtim Shala në seancën e së hënës në Kuvendin e Kosovës ku u debatua dialogun Kosovë-Serbi tha se Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që të legjitimohet dhe t’i besohet drejtimi i procesit të dialogut me Serbinë.

“Kjo e drejtë të na jepet përmes qytetarëve. Jemi të gatshëm që këtë çështje ta zgjidhim edhe me referendum. Legjitimitetin ata që na zgjedhin ne e kanë në çdo rast. Kjo është rruga, ky është çasti që të merremi vesh dhe të legjitimohemi. Të tjerët duhet të na bashkohen. Nuk mund të drejtohen këto procese, pa pasur dy të tretën e përfaqësuesve të Kosovës”, tha Shala.