Zyrtari i KEK-ut lirohet nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare

23.01.2018 14:01:12
Enver Hoxha, i cili akuzohej se në pozitën e projekt menaxherit të divizionit për prodhimin e qymyrit në KEK, kishte përfituar mbi 57 mijë euro në tenderit e “maicave”, të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinë, është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi, sipas së cilit nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale sipas aktakuzës.

Gjykatësi Ibrahimi, ndër të tjerash ka thënë se gjatë administrimit të provave, është vërtetuar se KEK-u ka pasur kontratë valide me operatorin ekonomik dhe sipas tij, i akuzuari në cilësinë e personit përgjegjës ka vepruar sipas kësaj kontrate.

Ai ka thënë se gjykata gjithashtu ka vërtetuar se furnizimi me pajisje mbrojtëse në punë ishte bërë konform rregullave të përcaktuara sipas kontratës dhe sipas tij, çmimi dhe sasia e këtyre “maicave” nuk ka qenë objekt i akuzës.

Ndërsa, e dëmtuara, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), është udhëzuar në kontest civil.

I akuzuari Hoxha, në shqyrtimet e mëhershme kishte mohuar pretendimet e prokurorisë se ai ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngarkonte të pandehurin Enver Hoxha, me veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

Sipas prokurorisë, Hoxha në qershor të vitit 2013, në pozitën e projekt menaxherit të divizionit për prodhimin e qymyrit, në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ka lejuar blerjen e 2,464 “maicave” nga operatori ekonomik “Ripten Enginnering”, me seli në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, këtë leje, Hoxha e kishte dhënë pa i përfillur procedurat e   Ligjit  të Prokurimit Publik, duke vepruar kështu në kundërshtim edhe me kontratën në të cilën është thirrur. Sipas prokurorisë, me këto veprime i ka shkaktuar dëm KEK-ut, në shumë të përgjithshme prej 57.164,80 eurosh.