Zyrtari i lartë i SHBA sot në Tiranë, a do e zgjidhë “ilaçi” amerikan krizën?

08.04.2019 17:39:52

Situata kritike politike pritet të marrë një kthesë të re ditën e sotme, pasi në Tiranë pas pak orësh do të zbarkojë zv. ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, i cili do të zhvillojë një vizitë në kuadër të turit të tij në Ballkanin e trazuar nga protestat anti-qeveritare dhe tensionet ndëretnike.

Pas përpjekjeve pa rezultat të europianëve, në lojë futet diplomacia amerikane, e cila zbarkon në Shqipëri në një kohë që opozita ka djegur mandatet dhe ka nisur protestat e pandalshme, ndërsa mazhoranca po përgatitet për zgjedhje.

Takimin e parë zyrtari amerikan do e ketë sot me kryeministrin Edi Rama, ndërsa të martën e 9 prillit, pritet të takohet me Presidentin Ilir Meta. Po nesër, Palmer do zhvillojë një bisedë me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të opozitës, me shumë gjasë edhe Monika Kryemadhin.

Pas takimeve me zyrtarët e lartë, mësohet se Matthew Palmer do të ketë një takim edhe me një grup gazetarësh shqiptarë.

Ditën e djeshme, 24 orë para vizitës së të dërguarit të SHBA, ishte Presidenti Ilir Meta ai që bëri thirrje për dialog e për t’i dhënë fund me kokëfortësinë në emër të interesit kombëtar.

“Unë besoj vetëm te zgjidhja politike përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe real për të rivendosur normalitetin e plotë kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit. I nxis e i inkurajoj të gjithë politikanët e përgjegjshëm kudo ku ata ndodhen, në mazhorancë apo në opozitë, të tregojnë që këto 22 vite nuk mund të shkojnë dëm për hir të kokëfortësive dhe të demonstrimeve të forcës përmes mitingjeve, dhe antimitingjeve të panevojshme”, tha Meta.

Ndërkohë, vizitës së Palmer i parapriu vizita e zyrtartit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonanathan Moore, i cili zhvilloi disa takime, ndërsa publike për mediat u bë vetëm takimi i deputetes të partisë Demokratike, Rudina Hajdari dhe ish kryeministrit Sali Berisha.

Vizita e diplomatit amerikan duket si një “dejavu” e dy viteve më parë, kur krizës politike i dha zgjidhje zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Bryan Yee, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Palmer do të marrë rolin e negociatorit mes palëve.

Kujtojmë se Palmer e ka ndjekur intensivisht situatën e krijuar në Shqipëri, pasi një ditë para se deputetët e opozitës të linin mandatet, ai zhvilloi dy biseda telefonike me liderët e opozitës Bashën dhe Kryemadhin.