Zyrtari që mori pushim pa pagesë një vjet kinse për tu shkolluar

09.05.2018 14:11:57

Zyrtarët që punojnë në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, mund të marrin pushim pa pagesë për një vit me pretendimet për ngritje profesionale. Kjo iu lejohet nga vet institucioni ku punojnë.

Zyra Kombëtare e Auditimit, gjatë hetimit të shkeljeve të këtij institucioni ka gjetur se drejtori i përgjithshëm, i ka aprovuar një zyrtari pushim pa pagesë për një periudhë një vjeçare, me arsyetimin e shkollimit jashtë vendit.

Ndonëse, dhënia e pushimit është e rregulluar me ligj, auditori në bazë të gjetjeve thotë se gjatë hetimit nuk kanë vërejtur dëshmi se kandidati është i pranuar apo regjistruar në ndonjë universitet siç është theksuar në kërkesë.

Në rregulloren 06/2011, të cilës i referohet auditori bëhet e qartë se lejohet dhënia e pushimit pa pagesë për ngritje profesionale, por kërkohet nga udhëheqësi administrativ më i lartë, që e aprovon vendimit ta shqyrtoj kërkesën në bazë të dëshmive relevante dhe të marrë më pastaj vendimin, dëshmi këto të cilat kanë munguar në këtë rast.

“Gjatë trajtimit të kësaj lënde ne nuk kemi vërejtur dëshmi relevante se kandidati ishte i pranuar apo regjistruar në ndonjë universitet siç e ka theksuar në kërkesë. Përkundër kësaj pushimi i ishte lejuar nga drejtori”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Aprovimi i pushimit në mungesë të dëshmive, sipas auditorit rrit rrezikun që zyrtari të përdor pushimin pa pagesë për qëllime tjera në raport me qëllimin për të cilin i është aprovuar pushimi.

“Po ashtu, kjo ndikon që Agjencia për një vit të angazhojë zyrtarë tjerë me qëllim të përmbushjes së detyrave të mbetura, kurse në anën tjetër të mos e arrijë qëllimin për çka e ka aprovuar pushimin pa pagesë”, thuhet tutje në këtë raport.