Zyrtarja për viktimat e Gjykatës Speciale në pritje të aktakuzave të para

30.07.2018 18:13:37

Viktima të të gjitha llojeve të krimeve që do të trajtohen nga Gjykata Speciale, siç i referohen në Kosovë Dhomave të Specializuara, janë lajmëruar në Hagë. Secili ka një histori lufte për të rrëfyer para drejtësisë. Disa prej tyre tashmë kanë vënë kontakt me shefen e zyrës së Pjesëmarrjes së Viktimave Silke Studzinsky.

Studzinsky, në një rrëfim për një portal vendor, ka treguar për punën e saj që do të ketë me ata të cilët kanë pësuar nga krimet e mundshme në Kosovë.

Ajo thotë se është në pritje të publikimit të aktakuzave të para për të ditur saktësisht akuzat dhe vendet e krimit.

“Pastaj, njerëzit që kanë pësuar dëm si rezultat i një prej krimeve në aktakuzë mund të aplikojnë për t’u bërë viktimë pjesëmarrëse”, tregon Studzinsky për “inFokus”.

Silke Studzinsky vazhdimisht i inkurajon të dëmtuarit që të mos kenë frikë të flasin.

Sipas saj viktimat mund të aplikojnë menjëherë pas publikimit të aktakuzave, që do të thotë se ata mund të kontribuojnë në një rast tashmë të përgatitur nga prokuroria.

Por, çfarë do të ndodhë me viktimat e tjera që nuk do të kenë mundësi të dëshmojnë nëse nuk do të ketë aktakuzë për “agresorët” e tyre?

“Kuadri ligjor i dhomave të specializuara të miratuara nga Kuvendi i Kosovës nuk parasheh një rol për viktimat gjatë hetimeve. Viktimat mbështeten në përzgjedhjen e krimeve dhe të dyshuarve të lidhur, të identifikuar nga Prokurori i Specializuar. Në lidhje me politikën dhe strategjitë e prokurorisë, do të ishte e përshtatshme të diskutohej me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Duhet të rikujtoj se Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion mbi krimet e kryera ose të filluara në Kosovë gjatë periudhës përkatëse nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000 dhe që kanë të bëjnë me të ashtuquajturën Raporti i Dick Marty. Ligji i jep Prokurorit të Specialuzuar autorizimin për të zgjedhur rastet që do t’i sjell Gjykatësit të Procedurës Paraprake”, thotë ajo.

Në këtë intervistë, Studzinsky ka treguar në detaje arsyet përse një pjesë e vuajtjeve të qytetarëve gjatë luftës në Kosovë nuk do të mund të gjykohet.

“Kuadri ligjor i dhomave të specializuara të miratuara nga Kuvendi i Kosovës nuk parasheh një rol për viktimat gjatë hetimeve. Viktimat mbështeten në përzgjedhjen e krimeve dhe të dyshuarve të lidhur, të identifikuar nga Prokurori i Specializuar”, tregon shefja e zyrës së Pjesëmarrjes së Viktimave Silke Studzinsky.