Antisemitizmi si kundëramerikanizëm

18.08.2016 13:02:30

1

Kundëramerikanizmi ndër shqiptarë kryesisht ka origjinë nga një ideologji pansllaviste, marksist-leniniste, përkatësisht staliniste me të cilën është udhëhequr regjimi enverist në shtetin shqiptar. Si i këtillë, kundëramerikanizmi ka fytyrën e asaj ideologjie, e cila në një formë tjetër, nëpërmjet universalizimit ideologjik është munduar t’i kundërvihet SHBA-ve në aspektin gjeopolitik e gjeostrategjik në kushtet e luftës së ftohtë ndërmjet SHBA-ve dhe shteteve të tjera perëndimore dhe Bashkimit Sovjetik dhe shteteve të tjera euorlindore dhe euroaziatike. Nëpërmjet ideologjisë pansllaviste, marksist-leniniste, përkatësisht staliniste, Rusia që kish aneksuar shumë shtete të tjera përreth, dhe disa të tjera i kish aneksuar ideologjikisht, synonte të realizonte pushtimin e botës në emër të një sistemi më të mirë politik, por që ishin synime të hershme të hegjemonizmit pansllavist rus. Prandaj, edhe përqafimi, përkatësisht vendosja e një regjimi të tillë edhe në shtetin shqiptar, ishte zhvendosje e shtetit dhe e kombit shqiptar në një kontekst gjeopolitik e gjeostrategjik pansllavist dhe  kundëramerikan e kundërperëndimor. Me rënien e këtij regjimi në shtetin shqiptar, sikurse në vetë BRSS-në, nuk ra edhe ideologjia pansllaviste, e cila edhe pse nuk u bë ideologji dominuese ndër shqiptarë, megjithatë vazhdoi të jetë ideologji frymëzuese dhe përcaktuese për grupe të ndryshme politike. Në shtetin shqiptar, kjo idologji vazhdon të jetë ideologji e disa grupimeve të vogla politike, kurse në Kosovë, në hapësirën shqiptare në rajon dhe në mërgatë, vazhdon të shpërfaqet në forma të ndryshme të kamufluara me ideologji të keqinterpretuara të ndonjë autori marksist perëndimor. Në Kosovë, përfaqësues i kësaj është Albin Kurti dhe lëvizja që ai drejton, e që në forma dhe në kohë të ndryshme ka shpërfaqur hapur kundëramerikanizmin e qartë edhe si ideologji, por edhe si përcaktim gjeopolitik e gjeostrategjik. Visar Ymeri e ka pas quajtur intervenimin e NATO-s kundër caqeve serbe e pat quajtur si intervenim për interesa imperialiste amerikane, kurse vetë Albin Kurti është shprehur se shqipgtarët nuk i duan amerikanët, por këtë e bëjnë nga frika.

2

Mirëpo, nëse kundëramerikanizmi i këtillë është vazhdimësi e një kundëramerikanizmi të herhsëm ideologjik dhe pansllavist, në mënyrë më të butë ka filluar të shfaqet edhe një tip tjetër i kundëramerkanizmit,  e që është kundëramerikanizëm i kamufluar me antisemitizëm. Thelbi i këtij kundëramerikanizmi qëndron në shpërfaqjen e koncpeteve antisemite në kontekst të përcaktimeve strategjike, gjeopolitike e gjeostrategjike të SHBA-ve. Edhe pse vetë antisemitizmi është një ideologji dhe një filozofi që bie ndesh me filozofinë e lirisë mbi të cilat mbështeten vlerat e qytetërimit perëndimor, megjithatë përdorimi i tij për të fshehur kundëramerikanizmin, është një marrëzi e madhe. Kur e tërë kjo shihet në kontekst të marrëdhënieve të shqiptarëve me SHBA-të, dhe të Kosovës me SHBA-të në veçanti, atëherë kjo bëhet jo vetëm kundëramerikane, kundërperëdnimore dhe antisemite, por edhe kundërkombëtare, për shkak të fakteve historike dhe të tashme se pa SHBA-të kombi shiptar do të ishte bërë si kombi hebre gjatë më shumë se dy mijë viteve. SHBA-të janë shteti që më së shumti ka mbështetur procesin e lirisë, pavarësisë e demokracisë të udhëhequr nga presidenti Rugova, dhe që vazhdojnë ta mbështesin Kosovën dhe shqiptarët në të gjitha sfidat e brendshme, rajonale dhe botërore. Edhe antisemitizmi është një ideologji dhe filozofi e huaj për shqiptarët, sepse janë pikërisht këta, pra shqiptarët që kanë kontribuar tepër shumë për mbrojtjen e hebrejve nga nazizmi, por edhe nga regjimet naziste në shtete të ndryshme. Dhe këtë e thonë vetë hebrejtë, të cilët, po ashtu, u kanë qenë mirënjohës shqiptarëve për gjithë mbrojtjen që u kanë bërë atyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fakt, antisemitizmi që po shfaqet herë pas here ndër shqiptarë, qoftë edhe si fishkëllimë individuale, është po aq i rrezikshëm sa edhe radikalizmi fetar që po nxitet nga individë të ndryshëm, qoftë edhe nën petkun apo veladonin e një hoxhe, por që nuk ka të përbashkët asgjë me islamin burimor dhe islamin tradicional shqiptar. thelbi i të dyve: i antisemitizmit dhe i radikalizmit fetar është kundëramerikanizmi si veçori e pansllavizmit rus, për të mos thënë qartësisht, edhe i nxitur nga qendrat e ndryshme sllavo-ortodokse kundëramerikane.