Liria e shprehjes dhe anarkia linçuese, përbaltëse dhe rrugaçërore

03.05.2017 11:22:16

Vitin e kaluar, Hashim Thaçi pat organizuar një takim me njerëz të medieve për të shënuar ditën e lirisë së shprehjes, dhe pat premtuar se do të bëhet edhe më shumë që kjo liri të jetë sa më e plotë. Në një ambient luksoz, fjalët e Hashim Thaçit dukeshin si një ligjërim surealist, sepse Kosova në çdo raport ndërkombëtar për lirinë e shprehjes përmendej si vend me liri të kufizuar dhe në përgjithësi me probleme në këtë drejtim. Ndër tjerash përmendeshin ndikimet politike në medie, ndikimet e strukturave mafioze etj., e që jo vetëm kufizonin lirinë e shprehjes, por edhe e instrumentalizonin atë dhe mediet në përgjithësi.

Një vit më vonë, jo që nuk u bë asgjë në drejtim të rritjes së lirisë së shprehjes, por përkundrazi instrumentalizimi i medieve për interesa të caktuara dhe kontrolli mbi to, por edhe një ndërveprim dhe bashkëveprim më i madh u vërejt gjatë kësaj kohe. Në fakt, tashmë mund të flitet për vdekje të medieve, për një deformim të lirisë së shprehjes, pasi që mediet, e sidomos portalet kanë bërë shumë që të vrasin kulturën e komunikimit publik dhe ta kthejnë në një hapësirë që devalvon vlerat thelbësore të tyre si informim i opinionit për ngjarjet që ndodhin, si dhe për krijimin e opinionit publik lidhur me çështje të rëndësisë publike. Ajo që edhe në kodet ligjërimore botërore po quhet si lajm i rremë, në Kosovë është bërë tipari kryesor i shprehjes politike e medietike. Senzacionalizimi meidetik, po ashtu është bërë një nga tiparet kryesore të gazetarisë te ne, që ka të bëjë me hiperbilizimin e elementeve të caktuar, por edhe të lajmeve periferike. Kjo po shprehet sidomos me tituj shumë senzacionalë, por që brendësia nuk ka të bëjë fare me atë që thuhet në titull. Pornogazetaria, është një nga tiparet e gazetarisë te ne, sepse gazetaria, si ajo e shkruar, edhe ajo elektronike, sidomos ajo online, janë të mbushura me shkrime, fotogafi dhe madje edhe video që lartësojnë dhe hymnizojnë seksualitetin pornografik që kanë një ndikim shumë negativ në grupmosha të ndryshme.

Ajo që ka kthyer shumë kohë mbrapa lirinë e shprehjes është edhe përpjekja për të bërë ndryshime në Kodin Penal të Kosovës, me të cilat parashikohen sanksione të forta deri në pesë vite burgim për gazetarët që fyejnë zyrtarë të lartë shtetërorë. Me këto po synohet të krijohet mundësia për trysni mbi mediet që në emër të akuzave dhe shantazheve me burgime, të thellohet kontrolli politik mbi to. Kjo nuk është hera e parë që ndodh, pasi që edhe më parë ka pasur përpjekje të tilla, por kjo e fundit është një përpjekje serioze në këtë drejtim. Është e qartë se mediet duhet të jenë të përgjegjshme se liria e shprehjes nuk është anarki dhe e drejtë për shfrime rrugaçërore, por kjo ka të bëjë më shumë me nivelin e gazetarisë te ne,e dhe për shkak të ndikimeve politike apo edhe të ndikimeve të tjera. Po ashtu, edhe fakti se shumica e medieve dhe portaleve menaxhohen nga injorantë medietikë, si dhe janë të mbushur me të tillë, që nuk dinë rregullat elementare të komunikimit publik, të gazetarisë dhe të etikës gazetareske, ka bërë që në komunikimin publik medietik të ketë jo vetëm fyerje dhe shpifje, por edhe strategji mediale që bazohen në demonizim, përbaltje dhe linçim.

Rrjetet sociale, po ashtu, kanë ndikuar që liria e shprehjes të shndërrohet në anarki dhe të devalvojë komunikimin publik, pasi që “u kanë dhënë të drejtën e fjalës budallenjve” – thotë Umberto Eco, e të cilët sipas tij janë bërë “mbajtës të së vërtetës”. Këto kanë ndikuar edhe që të shfaqjet një komunikim publik pezhorativ, që shpërfaqen kode ligjërimore të ligjërimit të përditshëm dhe mjaft vullgar, përbaltës, linçues dhe demonizues, e që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë ndikim të madh edhe në devalvimin e komunikimit medietik nga mediet, pra edhe nga ato online.