Në kujtim të mësuesve e një falenderim për burrat e Panorcit

10.02.2018 11:42:01

Nga: Sinan Kastrati

Fragmente nga ditari im,

Mahi e mesele nga Turjaka e Zatriqit

Kurrili, Halim Kadria i Panorcit e drangoj, Amrush Llapqeva i Llapqevës

Panorci e Rudi

Panorci e Rudi, tash dy katunde dikur ishin një. Rudi numërohej si mahallë e Panorcit.
Katundi është i ndërtuar allafranga. Në mes të Panorcit e Rudit është shkolla e plotë fillore. Panorci ka edhe pumpë Benzini ndërsa në brendësi të katundit është edhe një restorant me ushqime tradicionale e shitore ushqimore. Panorci ka rrugë të asfaltuar që lidhet me Turjakën e Llapqevën. ….e pastaj rruga të qon në Malishevë e në Gjakovë.

Përsëri iu ktheva vendlindjes, Turjakës. Dua të pushoj pakëz e të iku nga ”zhurma e qytetit” dhe pushimin më të mirë e bëjë kur ”flas” me katundarët e mi, turjakas, me djem të rinj, barinj, burra të pjekur e pleq të menqur…

Bëra një përjashitim të vogël sepse në këtë pjesë do të shkruaj veç për katundin Panorc e Rud. Panorci është në lindje të Turjakës, 1 orë me ec këmbë. Panorci e Rudi, janë ndër katundet më të njohura në Kosovë për mbjelljen dhe kultivimin e duhanit.

Do të tregoj edhe një ndodhi, nga shumë të tjera, për Amrush Llapqevën, nga Llapqeva. Llapqeva është katund që shtrihet në perëndim të Panorcit, afër Ujvareve të Mirushës, matan Grapit dhe Majes së Kaznikit.

Duhani i Panorcit e ai Mezhgoranit

Se Panorci është katundi më i dashur për mua, pas Turjakës, kjo hiç s`ka dyshim. Ruaj shumë shumë kujtime, si mësues i ri, 20 sa vjeçar. Kur fillova të punoj në Panorc, më dukej vetja se po fluturoja. Panorci përveç që ishte i njohur për DUHAN, ky katund ka pasur gjithmonë dhe ka qenë më i njohuri me kije tareq e qen të fortë. Kur dilnim me bagëti te Livadhi i Durakut, Zabeli i Hasan Cufës, në Garaqeva e në Fushë të Kuvalëve, kitë, tareqt e qentë e Panorcit, ishin më të fortë dhe gjithnjë, kur bënim ”gara” qobanët, se kush i ka kiet më të fortë e qentë më të shtirë dhe i rroknim, ata, kijet e qentë e Panorcit fitonin.

Këtë ia kam pas tregua edhe Dritëro Agollit, kur e takova për herë të parë, në Prishtinë sepse në Fier e kisha takua në qershor të po ati viti.

Ishte vjeshtë e vitit 1979 dhe unë lexova në Rilindje se kishte ardhur në Prishtinë D. Agolli, K. Jakova … dhe E. Kadare, gruaja e I. Kadaresë, gjithashtu shkrimtare. Sa e kreva mësimin, udhtova për në Prishtinë. Udhtimin nga Panorci për në qendra, e bënim këmbë deri në Mrasur apo në Volljak,1 orë e 45 minuta e pastaj udhtonim ose me tren, nga Mirusha ose me autobus por edhe ato vinin dy herë në ditë ose vonoheshin e nuk vinin fare.

Këto ia kallxova Dritëroit, se punoja si mësues Letërsie në Panorc e Panorci është i njohur me duhan si, Duhani i Mezhgoranit (në poezitë e Agollit) e i Taraboshit në Shkodër ndërsa mbath kisha një palë qizme të llastikut plot me baltë, baltë Panorci si kur Agolli kur e kishte mbushur trasten me dhe të Devollit dhe e kishte dërgua në Lidhjene e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në Tiranë … e muhabeti vazhdonte me …. Poetët shqiptarë në Hotelin Grand, Hotel me pesë yje.

Në vitin shkollor 1979/1980, pas i kisha kryer studimet në Letërsi në Prishtinë, dhe pas një ekskurzioni mësimor-shkencor, nga Uni verziteti i Prishtinës, si musafir të Univerzitetit të Tiranës, mua nuk më pranuan në punë atje ku dëshiroja … prandaj u detyrova që të shkoj në Panorc, katund që duhej me pas qizme si të mullinit përndryshe, këpucët na mbetnin në baltë në Garaqeva, katund që nuk donte askush të punonte për arësye të shumta: s`kishte rrugë e autobusi nuk vinte deri aty. S`kishte shitore dhe … s`kishe as ku të banoje përveç në shkollë në kushte shumë të vështira.
Shkollat në ato vite në Kosovë kishin veç muret cullak. Ishin të shkreta. Përveç mureve të thata dhe fotografi të J. B. Titos, nuk kishte asgjë tjetër. ….. por vullneti i mësuesve për punë ishte i madhë. Lokalet shkollore ishin pa ujë brenda e pa rryme e besa edhe pa WC-e. Shkolla e Panorcit ishte më keq. Aty hynin edhe dhentë e mrizonin. Ujin e bante kurrilli që e merrte nga krojet që në Panorc kishte çdo luginë nga një prrua. Mësuesit që punonin, ishin ”mësues”, shumica pa ndonjë shkollë profesionale siq ishte atherë Shkolla Normale për mësues të ciklit të ultë, klasën e parë deri të katërten. Ndërsa me SHLP (Shkollë të Lartë Pedagogjike), sa më kujtohet mua, nuk e kishte asnjë mësues. Me lëndët e matematikës, kimisë, fizikës, gjeografisë, historisë , punonin shumica e mësuesve me shkollë të mesme- gjimnaz …teknike e shkollë të mesme bujqësore.
E prindërit i falenderonin mësuesit e Panorcit nëse I lejonin fëmijët që të iu ndihmojnë prindërve me mbjell duhan, me iu pri kive kur mbillej kallamoqi e punë të tjera të shtëpisë, në fusha, ara e me mbledhur sane e atavë….
Me fjalë të tjera, në Panorc punonin ata që nuk gjenin vend pune në shkollat tjera, në qendrat e lokalitetit apo edhe në qendrat komunale dhe nuk kishin diploma të mësuesisë.
Mua nuk më pranuan në Shkollën Fillore Tetëklasëshe “Migjeni” në Lubizhdë. Por tash drejtoria e shkollës, pleqësia dhe organizata e LK-së kishte një argument tjetër: kisha qenë në Shqipëri dhe atje kisha takua njerëz të PPSH e kisha marrë literature të bollshme e porosi që të luftoj kundër Sistemit Socialist Vetëqeverisës Jugosllav, sipas tyre ani pse këte ata s`ma thonin.

Unë u detyrova të shkoj në Panorc të punoj si mësues Gjuhe e Letërsie Shqipe por në fillim nuk kisha dëshirë.
Shkolla e Panorcit ishte paralele e ndarë e shkollës së Lubizhdës, aty ku unë e kisha kryer shkollimin fillor, gjenerata e parë dhe kisha punua një vit më pare, 1977/1978. Pasi kisha organizua një manifestim të vogël për LSHP (Lidhjen Shqiptare të Prizrenit) në Qershor 1978, vitin shkollor 1978/79, nuk më pranuan e as në vitin shkoll. 1979/1980 nuk më pranuan në Lubizhdë.

Shkolla e Panorcit kishte tetë klasë, që nga e para deri te klasa e tetë, me nga një paralele, afërsisht me 22-25 nxënës. Punonim në dy ndërrime dhe në gjashtë ditë të javës, edhe të shtuneve. Në gjysmëvjetorin e dytë, 1980, kur Tito ishte i sëmurë dhe pritej se do të vdiste, ishim të obliguar për çdo natë ta ruajmë shkollën mos dikush nga “armiqt” po shkruan parulla kundër Titos e sistemit jugosllav. Kjo ka ndodhur deri më 4 maj 1980 kur Tito vdes në Lublanë.

Mësuesit e Panorcit

Përgjegjës i shkollës së Panorcit ishte Halil Mani, djali i Man Halilit, shpi në zë kurse si mësues punonin: Istref e Bilall Rudi, Enver e Halil Bajra, Kamer Asllani, Dalip e Hilmi Thaqi, Rexhep Merturi, Unë (Sinani) e vëllai im, Adem Kastrati. Kurril ishte Halim Kadria, e rojtar Hamdi Bajra, vëllai i sh kryetarit të Komunës së Rahovecit e më vonë të Malishevës, Xhemajli Bajra.
Por në Panorc kishin punua para meje, disa vjet edhe veteranë të arsimit, mësues pleq, Isuf Imeri e Ramë Januzi nga Isniqi i Deqanit, dy burra të forte që në rrethin tone mbahen mend për të mire ndërsa më vonë edhe doli edhe edhe mësuesi i pare, Dinë Rifati, normalisti i pare i katundit Panorc por që ishin shpërngul në Rahovec.

Bukëdhësit dhe odagjitë e Panorcit deri këtu ……..

Në këtë shkrim, Kujtime nga Ditari im, mesele e mahi nga Turjaka (dhe fshatrat përreth), do të flas sot për Halim Kadrinë por më parë dua të tregoj disa nga familjet e mëdha dhe bukëdhënese të Panorcit e të Rudit që falë atyre familjeve bujare, mësuesit jabangji kanë mbijetua aty. E ata janë: Islam Brahimi me vëllezëritrit Demushin, Ilazin, Muratin dhe Hamitin, Alush Limanin, Ramiz Dula, Hisen Derguti e Latif Reshiti. Asllan Bajrami e Dulë Veseli. Osman Pajaziti e Djemtë e Bekë Alisë, Mursel Shabani dhe Familja e Madhe e Veli Bajramit, Shaban Hasani, Cufë e Demush Hajdari, Ramadan Syla, e Limani … Familja e Fazli Pajazitëve (duhet veçua Tahir Fazli Garaqevën, një babaxhan por shumë i drejtë, i sinqertë dhe bukëdhënës), Amrush Halili e Murat Musa, Maxhun e Qerim Hajrullahi dhe djemtë e Sylë Hajrullahit, Burrit të Madh- Hajrullah Rexhepit, Hajdar Xhema e Elez Ramadani, Alush Hamza e Islam Brahimi, Lah (Zenullah) Destan Dema, ( baba i Fetah Rudit), Hisen Mustafa, Bajram Neziri e Bajram Halili, Alush Hamza e Hysen Mustafa etj.
Këto familje, dua ta aqikoj odën dhe mikpritjen e Islam Brahimit-Bajraj, e kanë ndihmua dhe shumica e mësuesve kanë fjetur e janë ushqye pa pare e me ushqim të shishëm në odat e tyre, kur koha ishte e keqe, binte shi, bore, fryente e bënte ftoftë dhe për qef.
Në Panorc është e njohur shprehja “Kur fryen era, dëgjohen bisedat e burrave të Llapqevës”

Buka pogaqe sa guri I Mullinit

 

Dada Badë (Libade), motra e vogël e babës, halla ime ishte e martuar për Qerim Hajrullahin në Rud dhe kishte disa fëmi në shkollë. Shpesh kur i qoja fjalë hallës se jam pa bukë, ajo ia jipte Remzisë, vajzës së dytë, nxënëse e klasës së tetë nga një bukë pogaqe sa Guri i Mullinit dhe nga një temlik suxhuk, një sahan speca të përzhitur e nga 20 ve të ziera për me i hangër gjithë puntorët e mësuesit jabanxhi..
Edhe nëna e Istrefit, që punonte si mësues muzike, Hatmanja dhe nëna e Bilallit, Gjejranja, kunata të dadës Badë shpesh iu jepnin fëmijëve bukë, ”si qabanëve” e ata na binin bukë a pite në shkollë.
Kur binte shi, borë e fryente veriu, ishte e vëshirë me e kalua Grapin e Garaqevat. Ishte vështirë dhe rrezik edhe nga ujqit që ishin të uritur e qentë e katundit. Prandaj burrat që i përmenda, na ndalnin për darkë e na bënin muhabet deri në në gjysmë të natës.
Për këto do të flas njëherë tjetër por sot do të tregoj një rast të një njeriut shumë të fortë, Amrush Llapqeva, dajë i kusherinjëve të mi, Dinë Haxhisë, Malushit, Seferit e Zyberit dhe baba i dajes Cenë (Cenë Amrushi). Ai njëherë kur kishte qenë musafir në Turjakë, pas disa netëve, kur don të kthehet, në Grap të Panorcit fillon me ra një borë e madhe e një ujk i uritur i ban turr Amrushit me e hangër. Amrushi e gjen një guri afërsisht një kilogram dhe kur ujku i afrohet, ky e gjuan me sa force që kishte dhe e mbyt ujkun në vend. Aq i fortë ishte Amrushi sa që gurin ia nguli në bark.
Tash po dal te Halim Kadria, kurrilli i shkollës në Panorc.

Kurril pe bâjm` Hisen Dergutin

 

Shkolla e Panorcit nuk ka një histori të bujshme. Deri në fund të viteve të 1960-ta dhe në fillim të të 70-tave, fëmijët e Panorcin e të Rudit shkonin në shkollën e Llapqevës dhe të Sferrkës së Gashi, deri në klasën e katërt e pastaj e nderpenin dhe rrinin në shtëpi e i ruanin bagëtinë dhe i ndihmonin prindërit në punët e përditshme por kur u ndërtua një shkollë, barakë me katër dhoma mësimi e një zyre të vogël, përveç mësuesve, shkolla kishte nevojë edhe për një puntor ndihmës apo siq i thonim ne atherë- Kurrill.
Xhemajli Dina (Bajra), si njeri më i autoritetshëm e që punonte në organet më të larta të komunës së Rahovecit, kishte ardhur dhe i kishte thirrur katundarët në shkollë që të dëgjoj nga ta se kënd dëshirojnë ta marrin në punë si kurrill. Vetë Xhemajliu donte ta punësonte Halim Kadrinë, një njeri shumë i ndershëm por edhe fukara, fatkeq e besa edhe tragji-komik por që kishte nevojë më shumë se të tjerët.
Halimi, para se të punësohej si kurrill, shkonte e prente Malin e Derrzhavës dhe e merrte radion me vete. Tranzistorin e virrte në degë të lisava e ia fillonte me pre dru duke dëgjua muzikë. Shumarët (Rojtarët e pyllit) nuk e kishin të vështirë ta zënë me ”pelë për dore” dhe ia qonin fletparaqitjen në Gykatën për kundërvajtje në Rahovec. E ai paguante denimin me pare ose me burg. Pra Xhemajliu donte ta ndihmoi, me të drejtë Halimin.
Kur filloi mbledhja, shumë katundarë dëshironin që të zgjidhet një ”puntor i mirë”, jo Halim Kadria. Atherë Xhemajliu thotë: -Nëse duam puntor të mirë, po e zgjedhim Hisen Dergutin. Hiseni ishte një ndër pasanikët më të mëdhenj të Panorcit i cili përveç moshës 70-80 vjet, ai kishte edhe 20, 30 copa lopë pllea. Pra ai s`kishte nevojë e as që do të pranonte me punua në punë shteti që për shumë burra e pleq të asj kohe, me punua në punë të drzhavës (shtetit) ishte nënqmim.
Kur i dëgjuan katundarët arsyetimin e Xhemajliut, u ”pajtuan”.
Dhe unë më 1979/80, pata fatin të punoj me keta BURRA, disa prej të cilëve edhe kanë vdekur, si Halim Kadria e Kamer Asllani, mësues historie e gjeografie.
Por Halimi edhe atherë kur punonim, dorën në zemër, hiç nuk ia donte shpirti punën dhe shpesh kur fillonte mësimi, klasët i gjenim të papastruara e kaftorrat nëpër klasë nuk i kishte ndezur e dimrit nxënësit mërdhinin.
Halimi shpesh mungonte nga puna dhe e qonte nënen e vetë, 70 e sa vjet, Hallën Xhylë me i fshi klasët ose djalin e vogël Bejtullahin që s`kishte më shumë se 10 vjet e ishte nxënës i shkollës.
Por ne e respektonim dhe e nderonim Halimin por ai ishte ”e zeza e vetit”.
Në shkollë, në zyrën e vogël ku rrinim mësuesit, Halim Kadria për çdo mëngjes i qitke gjygymat me qaj të rusit. Djersitej, sepse në vjeshtë dhe pranverë kur kallej zjemi, bëhej nxet` pasi që shkolla s`kishte korent. Ai djersitej e unë i thoja:- Halim, qyshtu kam qef me t`pa ty.
Halimi Kadrinë e Kamerin më nuk i pash, që nga viti 1979/1980. Ata kishin vdekur, Kishin vdekur edhe disa nxënës, Rexhepi i Ramadan Sylës e Sulltani i Hamdi Dinës dhe si shenjë nderimi për ta, i kujtoj m edashuri e më pakë fjalë. Çoftë i lehtë dheu i Panorcit për ta !
(Vazhdon)

Malmö, 10 shkurt 2018