Një fushatë zgjedhore që ofron alternativa për qeverisje lokale

21.09.2017 09:28:28

Tashmë koha për fushatë zgjedhore ka filluar dhe edhe një herë partitë do të ballafaqohen me vullnetin e qytetarëve për pushtetin lokal.

Kur kanë kaluar katër muaj nga zgjedhjet e përgjithshme, qytetarët kanë në dorë të përcaktojnë qeverisjen e komunave të tyre dhe për të bërë edhe një zgjedhje që ata e gjykojnë dhe vlerësojnë më të mirën për ta.

Moment reflektimi është në çdo kohë, por para zgjedhjeve është moment më i veçantë, sepse varësisht nga zgjedhja që bëjmë shpërfaqim edhe qëndrimin ndaj shtetit, ndaj institucioneve të tij, ndaj vlerave dhe veçorive që kanë të bëjnë me vetëdijen politike dhe qasjen që kemi ndaj çështjeve të rëndësishme të vendit dhe çështjeve konkrete që kanë të bëjnë me mirëqenien tonë.

Ajo që mund të thuhet me siguri ka të bëjë me faktin se ka kaluar  koha e eksperimenteve dhe e votimit në frymën e votimit kundër, pa pasur parasysh se çka ofron alternativa tjetër, ose në frymën e provës: hajt ta provojmë se nuk e kemi provuar.

Duhet të jetë i madh kujdesi për të mos legjitimuar apo për të mos institucionalizuar ideologji kundërnjerëzore, kundërqytetëriese, racore dhe ksenofobe, të cilat jo që bien ndesh me ligjin ndërkombëtar dhe vendor, por edhe me traditën tonë.

Po ashtu, duhet të jetë i madh kujdesi që të mos pranohet një debat manipulativ që mban larg vëmendjes faktin se bëhet fjalë për zgjedhje lokale dhe për pushtetin që merret drejtpërdrejt me interesat konkrete të qytetarëve.