Zbulim i rëndësishëm arkeologjik në Shqipëri, një kështjellë dhe një port (Video)

29.08.2016 19:10:38

Zhytësit kanë zbuluar edhe tetë akra shtesë të zhytura nën ujë. Kjo tregon se Triporti ka shërbyer si port me rëndësi për një vendbanim të madh, që studiuesit mendojnë se mund të ketë pasur lidhje me qytetin antik të Aulonës, Vlora e sotme

Një grup shkencëtarësh ndërkombëtar të udhëhequr nga Peter Campbell i Universitetit të Southampton, Neritan Ceka i Institutit Arkeologjik Shqiptar dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit, ka bërë studime në bregdetin e Vlorës me qëllim vlerësimin e mjedisit bregdetar dhe trashëgimisë nënujore kulturore. Gjatë këtij studimi, grupi prej 14 arkeologësh ka zbuluar se mbetjet e një kështjelle dhe një porti tashmë nën ujë janë në fakt shumë më të mëdha se sa shkencëtarët mendonin më parë.

Bëhet fjalë për zonën arkeologjike të Triportit në gjirin e Vlorës, në të cilën janë bërë studime edhe më parë gjatë dekadave të shkuara. Por, ajo që mendohej të ishte një strukturë prej 12 akrash, tani duket se është shumë më e madhe. Zhytësit kanë zbuluar edhe tetë akra shtesë të zhytura nën ujë. Kjo tregon se Triporti ka shërbyer si port me rëndësi për një vendbanim të madh, që studiuesit mendojnë se mund të ketë pasur lidhje me qytetin antik të Aulonës, Vlora e sotme. Struktura është e periudhës Romake, që tregon për Triportin si port që ofronte siguri për anijet në det dhe në Lagunën e Nartës, dhe se ai kishte më shumë rëndësi se sa mendohej. Ai gjithashtu, përmes rrugëve romake lidhej me qytetet e Aulonës dhe Apolonisë.

Pjesë e studimeve të ekspeditës ishin edhe strukturat nënujore të porteve në Butrint dhe Orikum. Shkencëtarët zbuluan edhe mbetje të tjera arkeologjike që tregonin për tregti në këtë zonë nga shekulli 4 p. K. deri në shekullin 7. Zbulimet hedhin dritë mbi rëndësinë e bregdetit shqiptar si zonë tregtie në antikitet, i cili ruan mbetje të kohërave të ndryshme. Arkeologët zbuluan spiranca guri, plumbi e hekuri, amfora që datonin nga Periudha Helene e deri në Mesjetë, si dhe artefakte të tjera. Ekspedita gjithashtu ka zbuluar ndryshim në nivelin e detit deri në 150 cm. Ky ndryshim mendohet të jetë pasojë e proceseve të ndryshme gjeologjike dhe ka për dëshmitare strukturat e përmbytura të porteve, qyteteve, si dhe nivelet e baticave.

Trashëgimia kulturore nën ujërat shqiptare është e ruajtur mirë për shkak të ndalimit të zhytjes dhe zhvillimit bregdetar gjatë komunizmit. Kjo krijon mundësinë për studime të tilla, të cilat hedhin dritë mbi jetën në antikitet në këtë bregdet dhe ndryshimin e tij në kohëra. Shkencëtarët kanë frikë se zhvillimi i shpejtë turistik dhe zhvillimi i pakontrolluar i bregdetit do të vërë në rrezik këtë “muze natyral nënujor”. Kjo është edhe një nga arsyet për zhvillimin e këtij studimi. Ekspedita ka studiuar edhe impaktin ekologjik të ndotjes nga mikroplastika dhe metalet e rënda, që janë pasojë e ndërtimit dhe industrisë.