​​ÇMOHET VEPRIMTARIA E DËSHMORËVE SKËNDER REXHEPI DHE FITIM DURAKU

21.01.2019 21:00:47

Hapësira e Bibliotekës Kombëtare ishte e vogël për gjithë njerëzit që kishin ardhur për të nderuar veprën e dy heronjve, Skënder Rexhepi dhe Fitim Duraku, në akademinë përkujtimore që i është kushtuar atyre.

I biri i dëshmorit, Skënder Rexhepi, Altini me emocione të mëdha u shpreh se dy dëshmorët kanë rënë për liri të Kosovës për të mos vdekur kurrë.

Sipas tij, ata u janë bashkuar në altarin e lirisë, gjithë komandantëve tjerë, ndërsa porositi se amanetin e tyre duhet ta jetësojmë çdo ditë e më shumë.

“Sot e dy dekada më parë, Skënder Rexhepi dhe Fitim Duraku ranë për t’u mos vdekur kurrë. Ata ju bashkuan në altarin e lirisë, komandantit legjendar Adem Jashari, komandantit Mujë Krasniqi, ju bashkuan komandantëve, Luan e Shkelzen Haradinaj, e shumë dëshmorëve të tjerë. Mirëpo luftën për liri, shokët e tyre nuk e ndalën asnjë moment deri në çlirimin e plotë të atdheut. Prandaj amanetin e tyre duhet ta jetësojmë çdo ditë e më shumë dhe t’i kujtojmë për herë dëshmorët tanë, shtyllat më të fuqishme të atdheut”, tha ai

Ndërsa, shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj thuri lavde të shumta për dy heronjtë që sipas tij i kanë kontribuar shumë luftës çlirimtare.

Sipas tij, këta dy dëshmorë kanë pasur rol të veçantë tek lidhja mes zonave të luftës, siç thotë Haradinaj këta kanë bërë rrugë në luftë, dhe këtë të fundit nuk e kanë marr hua prej askujt, por janë angazhuar që ta fitojnë.

“Me ardhjen e Skënderit ka ndryshuar gjendja, kemi biseduar në fillim se si me u siguruar ne që nga ana tjetër dikush të na sheh dhe e dinë çka po bëjmë, në atë kohë. Kur i kujtojmë sot dhe kur e dimë që lufta në atë kohë ishte plotë befasi, p.sh. nuk mjaftonte që me qenë vetëm në vijnë e luftës, me u përball e me mbajt  vij lufte. Por ishte e nevojshme me u lidhë secili me secilin në kohën e luftës. Dhe secili për secilin me dhanë pjesën e vet të ndihmës. Nëse dëshirojmë që me thanë, sot çka është e veçanta e Skënderit, por dhe Fitimit shiqoni njerëz që kanë bërë rrugë në luftë, që luftën nuk e kanë marr hua prej askujt”, shtoi kryeministri Haradinaj.

Pjesë e kësaj akademie përkujtimore ishte dhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ku nderoi veprën e dy heronjve të Kosovës. Sipas tij, për ecjen tonë të sigurt duhet të kërkohet të orientohemi në rrugën e nderit dhe krenarisë që e ndoqën dëshmorët e rënë për liri.

“Jeta është vetëm një udhëtim që të mos humbet rruga  kërkohet nga një orientim i qartë në kohë dhe hapësirë. Për ecjen tonë të sigurt dhe të drejtë kërkohet të orientohemi në rrugën e nderit dhe krenarisë që e ndoqën dëshmorët tanë” tha ai.

Ndërsa, bashkëluftëtari i dy dëshmorëve, Isa Krasniqi u shpreh se veprimtaria e Skënder Rexhepit ishte shumë e hershme dhe e gjerë. Krasniqi tregoi se Skënderi qysh në vitin 1981 ka filluar që të angazhohet për liri dhe pavarësi të Kosovës.

“Veprimtaria patriotike e Skender Rexhepit ishte shumë e hershme dhe e gjerë. Në pranverën e  madhe të vitit 1981, Skënderi si 15 vjeçar u inkuadrua në grupet ilegale të asaj kohe. Ai tashmë ishte formësuar me idenë e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Smajl Haradinajt dhe kishte simbol heroin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçin”, deklaroi Krasniqi.

20 vite më parë, në krye të luftës ranë në mënyrë heroike dy dëshmorët, Skënder Rexhepi dhe Fitim Duraku.