Anestezioni social i publikut dhe “shfarcenegerizimi” mediatik në Kosovë

25.10.2021 19:16:50

Nga: Fadil Maloku

1. Demokracia mediale, si kolonizatorë i politikës bashkëkohore, sot përmes infuzioneve të përmbajtjeve informative në mënyrë radikale po e ndryshon rolin dhe amanetin tradicional të partive politike. Në kohën tonë mediet kanë “pronësuar”, pothuajse në mënyrë të habitshme dhe të rrufeshme rolin e ndërmjetësuesit tradicional, mes publikut të gjerë dhe politikës!Partitë politike dhe politikanët e sotit, përmes doktrinës së njohur të spin doktorëve, po e arrijnë të kontrollojnë dhe menaxhojnë mjeshtërisht “frymarrjen” aktive të sidomos shoqërive transitive. Sa më shumë që mediet publike e reduktojnë diskursin politik (p.sh. për temat madhore të interesit kombëtar e shtetërorë) në një prezantim të thjesht argëtues, aq më shumë i realizojnë pritjet e publikut të gjerë. Sepse, ato në periudhën e transicionit, kur ende nuk janë stabilizuar as “përgjegjësia”, e as “sundimi i ligjit”, e kanë shumë më lehtë të lozin rolin e “viktimës në sandviç”! Injoranca e programuar dhe e financuar nga disa qarqe; antishtetërore e antishqiptare (padyshim!), ca matrapazëve medial e ca mercenarëve tanë politik (që janë bërë “kockë e ashtë”), kohëve të fundit, në Ballkan është duke iu dhënë hapsirë enorme mediatike!? Kjo tendencë, apo “frymë” tipike antikombëtare, që ndryshe në shkencat sociale shquhet si mënyra dhe metodologjia më sofistikuar e “operacionit” pa dhimbje, për publikun e gjerë naiv, ka marr kogja hov! Më e keqja, e gjithë këtij “pushtimi” të pahetuar nga publiku i gjerë, por jo edhe ekspertët mediatik qëndron në atë; se përveç kurdisjeve tematike që bëhen me të gjitha mjetet propaganduese (rrjetet sociale, Tv-et private, në këtë periudhë të transicionit të stërzgjatur!), ato, janë duke i infektuar tmerrësisht, pothuajse të gjitha sferat e jetës sonë…!Duke i “skanuar” disa nga këto “norma e vlera imponuese”, kryesisht në mediet dhe rrjetet sociale mbarëkombëtare nga ana e këtyre matrapazëve dhe injorantëve mercenar, ne me “briskun” tonë sociologjik kemi kuptuar që këto “erëra”… nuk janë as të rastësishme, e as të paqëllimshme! Nuk janë të rastësishme, shkaku se përsëritjen e “lajmeve dhe temave” (natyrisht; gjithnjë të përzgjedhura me kujdesin maksimal!) që ata i imponojnë publikut të gjerë, pra masës amorfe dhe deridiku naive, ia servojnë ne elokuencën e një “produkti” gjoja masovik dhe global! Ajo çfarë fillimisht bie në syzet tona pa dioptri, janë forma dhe përmbajtja e veprimit në unison!? Si ato që vijnë me etiketa lindore; por, të “promovuar”, nga mercenarët “identitar” shqipfolës (!), ashtu edhe ato perëndimore; por, të “prodhuara” nga injorantët vetëmohues të identitetit tonë shekullor!? Tani, shtrohet pyetja..një milionëshe nëse, është në pyetje “testimi” i shkallares së atrofimit të gjykimit tonë qytetar…, për të kaluarën e pakthyeshme dhe përplot dilema identitare, e hamendje historike, e kulturore; apo, është në pyetje përzgjedhja e mënyrës sonë më të shpejt për t’u “arratisur” nga përditshmëria gjithnjë më e pa perspektivë?! Të njëjtit me metoda shumë të sofistikuara mediatike, rrjeteve sociale, etj. po mundohen publikut të hutuar shqiptar t’i “amputojnë” heshtazi e sa më masovike disa; norma, rregulla e kode gjëja të reja; sociale (duke shtuar nivelin e histerisë së “tërpisë”!); politike (duke na imponuar; injorantët dhe të korruptuarit si modele lidershipi!); fetare (duke injektuar tradita e etnopsikologji antifetare e antikombëtare!); kulturore; (duke përdorur “shpëlarjen e trurit”, për të krijuar huti dhe konfuzion në publikun naiv!); Këshilla ime; Mos bini pre e manipulimit dhe injorancës së tillë mercenare! Debati publik, ka degradua në pothuajse gjitha sferat e jetës aq shumë, sa që të mbushet mendja që jemi në krize të thellë vlerërore, intelektuale…, e kreative dhe se kemi nevojë për “vaksina” të reja mendore!

2. Degradimin e gjuhës së komunikimit publik po e bëjnë kryesisht injorantët dhe tipat mercenar, të cilëve u ka humbur si “busulla” orientuese e kohës dhe humanitetit, ashtu edhe ekuilibri etik publik! Tipat e tillë denigrues, përmes injorancës dhe mercenarizmit të ngjizur më së miri pasqyrojnë si nivelin e emancipimit të tyre, ashtu edhe defektet dhe varfërinë e mendjes së tyre intelektuale! Natyrshmëria identitare, ruhet, mbrohet, kultivohet…etj. kryesisht përmes origjinës së vetës sonë sociale e kulturore. Çdo “arratisje” eventuale improvizuese, e qëllimshme, apo qoftë edhe e detyrueshme (sado kudo e përkohshme!), e zbehë dhe e shqetëson identitetin e origjinës sonë fillestare. Pra, duket që “stacionimi” social dhe ai kulturor në origjinë tonë identitare, frymon shumë më natyrshëm, më arsyeshëm, më akomodues, e besa edhe më qëndrueshëm. Nê fazën e parë “emancipuese”, ky njeri i ekzaltuar me modelin e ri identitar..joshet ne te gjitha mënyrat dhe ne te gjitha anët e mundshme…bile, shkohet aq larg me premtime e joshje…sa që (ne fazat e mëvonshme e me një tretman beneficues) atë e trajtojnë edhe si subjekt relevant, ne gjithë jetën sociale, politike e kulturore! Në mënyre qe ne fazat e mëvonshme, ai (pra ky njeri!) duke qene i shtrënguar nga “kërkesat” dhe joshjet statusore (edhe morbide e skizofrene!) shtesë…ai shndërrohet nga subjekti ne objekt….! Tani, realizimi i tij si objekt…ka një trajtesë shumëdimensionale; filozofike, sociologjike, psikologjike, sociale, kulturore…

3. A na dërgon transicioni ne kapitalizëm social apo grabitqar? Shoqëria kosovare si një shoqëri akoma tipike e transicionit, duke qenë e hendikepuar me faktin e mungesës së një lloj tradite sado kudo të vogël dhe të natyrshme në ndërtimin e raporteve kapitaliste, pra raporteve dhe logjikave të pamëshirshme tipike konkurruese përmes të cilave pa dyshim do të profilizoheshin, si: shtresat e ndryshme sociale ashtu edhe elitat e reja politike, ato ekonomike, kulturore e sociale. Shoqëria kosovare, duke qenë e privuar nga ky rrugëtim i natyrshëm i ndërtimit të kapaciteteve dhe institucioneve demokratike shkaku i fenomenit të“katapultimit” të saj nga një shoqëri tipike postsocialiste(bile edhe fisnore!) në një shoqëri të re demokratike, kujtoj është interesant për çdo eksplorues social të bëjë krahasimet e duhura sociologjike, në mënyrë që të kuptojë si specifikat ashtu edhe përvojën (nëse dëshmohen si të tilla) e ndërtimit të këtyre raporteve deri tani të panjohura. Në shkrimet e mëhershme kam theksuar se rrugëtimi i Kosovës në ndërtimin e një kapitalizmi identik me vendet e tjera që tradicionalisht kanë kultivuar një tip të natyrshëm të këtyre raporteve ka dështuar… Dhe se ajo çfarë është duke ndodhur në Kosovë ka të bëjë me një lloj kapitalizmi grabitqar…i cili pamëshirshëm po e rrit dhe zbulon veten e vet përmes ushtrimit të monopolit në politikë dhe gllabërimit të sferave të tjera të jetës ekonomike, në vend që të krijojë parakushte ligjore e ekonomike për një shtresëzim të natyrshëm social që do të duhej të kultivohej sipas logjikës së një konkurrence lojale me rregulla strikte të arritura përmes një konsensusi të gjatë dhe maratonik midis botës së biznesit dhe shtetit si rregullator i këtyre raporteve. Bartësit e këtij lloji të kapitalizmit të vrazhdë dhe pa dyshim joproduktivë për gjithë shoqërinë kosovare, në fakt janë jo biznesmenët e ngritur në bazë të konditave dhe parametrave ekonomikë, por politikanët e rekrutuar përmes ushtrimit të fuqisë që u mundësoi aparati shtetëror dhe mekanizmat e ndryshëm institucionalë që për imperativ ekskluziv e kanë pasurimin brenda natës përmes shitjes së pasurisë shtetërore…

4. A ka shtresa, apo klasa ne Kosove?Do të ishte krejt e natyrshme sikur procesi i shtresëzimit social në Kosovë të ushtrohej përmes konkurrencës së tregut, ku nismëtarët e rinj apo pronarët e vegjël në tregun e brendshëm të fuqizoheshin dhe të pasuroheshin sipas kësaj logjike, por procesi i krijimit të shtresës së të pasurve shkoj në një drejtim tjetër interesant. Në realitet rolin e kapitalisteve të rinj, e morën politikanët, të cilët deri dje s‘kishin në pronësi të tyre pothuajse asgjë pranë vetes, ndërsa tani janë bërë pronarë të shumë kompanive shtetërore, apo të paktën kanë aksione në këto kompani të cilat u sollën më parë me “meritat” e tyre në greminën e bankrotit në mënyrë që më vonë të njëjtat përmes procesit të privatizimit të egër (të ndodhur të spinofit të famshëm?!) t’u shiten kompanive transnacionale. Dukuria e kooperimit të mafisë politike lokale dhe bosëve të kompanive të mëdha dhe të dyshimtë për fshehje të tatimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë në krijimin e kastës së re kapitaliste në vendet e transicionit është një proces do të thosha tejet i ri edhe nga ekspertët e lëmenjve të tjerë, por esenca është se ky fenomen në fazën e parë të ndërtimit të kapaciteteve kapitaliste, pra akumulimit të parë të kapitalit në një mënyrë apo tjetrën (siç e vlerësojnë ata) ishte në favor dhe funksion të fillimit të krijimit të kapitalit fillestar. Dukuri kjo që për shumicën e sociologeve ishte pa dyshim një shteg i radhës që pak a shumë e ndihmoi procesin tjetër të kriminalizuar dhe të njohur si “shpëlarje të parave” të një vendi që nuk ka ndonjë tradite në konsolidimin e legjislativit dhe të sundimit të ligjit. Tani kur të kihet parasysh që efektet e privatizimit në rastin e Kosovës akoma nuk janë të prekshme në kuptimin e shifrave të reduktimit të papunësisë për shtresat e gjera të punëtorëve, atëherë bëhet shumë më e qartë se shteti i ri i Kosovës është në rrugë të dështimit në menaxhimin e resurseve dhe pasurisë se gjithëmbarshme nacionale që qe ngritur me djersen e gjeneratave të tera në ish-regjimin e komunizmit. Zakonisht për një përshtypje të këtillë shërbehen parametrat ekonomikë dhe ata socialë, që gjenden jashtë atij vendi apo atij shteti që ndodhin këto keqpërdorime dhe këto manipulime në nivele herë herë aferash e skandalesh sikurse ishte ai i vetëvrasjes së ish-kryetarit të AKP-së dhe aferave të tjera kriminale që në rastin e Kosovës, janë evidentuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë që monitorojnë këtë proces.Shtresëzimi që prodhoi ky fenomen i kolapsit të pasurisë shtetërore, në favor të grupeve apo klaneve që ishin afër apo më mirë me thënë menaxhonin procesin e ndërrimit të titullarit të pronës shtetërore, bëri që tani kemi një tipologji interesante dhe do të shtoja specifike të elitave ndër ne këtu në Kosovë.

5. Aktualisht do të mund të flisnim në vija të trasha për disa lloje elitash; elitat makrobiznesore që u rekrutuan nga sfera e politikës së pasluftës dhe elitat e tjera biznesore që përpëlitën dhe varën tërësisht nga ajo e lartcekura. Elita e cilësuar si makrobiznisore në rastin tonë menaxhohet kryesisht në parime familjare, fisnore, krahinore, etj. dhe në fakt tani edhe de jure është në proces të pronësisë së shumicës së kompanive dhe ish-ndërmarrjeve shtetërore. Ndërsa, elita biznesore që realisht është ajo e kompanive të vogla të cilat kane hy me rreziqe në konkurrencës jolojale vendore edhe për shkakun se bosët e makrobizneseve ushtrojnë haraç si përmes taksave të ndryshme që ua shtojnë këtyre të dytëve në cilësinë e shtetarëve, ashtu edhe përmes financimit të dyshimtë të fushatave elektorale gjatë kohës së zgjedhjeve në nivele lokale dhe nacionale.