Publikohet dosja e plotë hetimore për bandën e Habilajt

17.10.2017 18:45:33

Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka publikuar para pak minutash dosjen e plotë hetimore për bandën e drogës shqiptare e cila u arrestua një ditë më parë në Itali.

Ashtu siç ishte njoftuar edhe në mediat italiane, edhe në këtë dosje hetimore, duket qartë emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, si pjesë e trafikut të drogës.

Emra të tjerë në dosjen heti8more janë edhe të shtetasve Nezar Seiti, Maridian Sulaj, Armando Sulaj, Sabaudin Çela dhe Fatmir Minaj, ndërsa pjesa tjetër janë shtetas italian.

Në dosje përmendet edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe 4 personave të tjerë që janë shpallur në kërkim, përpos të arrestuarve.

Në një përgjim telefonik Florian Habilaj i thotë të vëllait Moisiut se po shkon për në Tiranë pasi e kërkon për tu takuar “Shefi i madh”.

Përgjimet mes Florian dhe Moisi Habilajt në datë 6.10.2013

Floriani: Më ka kërkuar shefi i madh në Tiranë

Moisiu: Çfarë donte shefi?

Floriani: Asgjë, për situatën

Në dosje përmenden edhe emrat e Nezar Saitit, Armando Sulajt, Sabaudin Çelaj dhe shumë të tjerëve. Hetimi ka nisur pas përgjimeve në 2013 të Elson Zhupa, ndërsa më pas kanë dalë në dritë edhe Habilajt.

Emri i ministrit Tahiri

Emri i ish-ministrit del në përgjimet e 16 dhjetorit të vitit 2013 gjatë një bisede mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt.

Moisiu thotë se “Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro”. Sabi i thotë “që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale”. Por Moisiu i thotë “që atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale”.

Në përgjimin e datës 2 mars të vitit 2014 mes Habilajt dhe Çelajt përmendet automjeti me targë AA003GB, me të cilin të dy personat kanë udhëtuar drejt Siçilisë. Tahiri pranoi sot se ka bërë gabim që makinën ua ka shitur kushërinjve.

Gjithashtu emri i Tahirit del edhe në një tjetër bisedë mes Moisi Habilajt dhe Sabautin Çelës. “75 mijë janë automatikisht të caktuara. 30 mijë “xhaxhait”, 30 mijë duhet t’ia çoj Saimirit, bëjnë 60, 15 anija që na duhet patjetër, bëjnë 75 mijë, plus 100 që janë: 72 të atyre në Fier, 20 të Arsenit, 170 mijë lekë heqim dhe këta të shtetit që kemi”, thuhet në dosje.

Dosja hetimore është prej 416 faqesh.

Ja dosja e plotë:
https://demokratet.al/wp-content/uploads/2017/10/ordinanza-tahiri-habilaj.pdf