Projektligji për pagat në sektorin publik, i cili si i tillë ka futur në grevë mësimdhënësit, mjekët kirurgë dhe ka shfaqur pakënaqësi sociale edhe të shumë punëtorëve të sektorëve tjerë, po kërkohet të tërhiqet.
Ky projektligj, ashtu siç është paralajmëruar, pritet të shqyrtohet për miratim final në Kuvendin e Kosovës në seancën e thirrur për datën 2 shkurt së bashku me Projektligjin për buxhetin 2019.
Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se duke i parë zhvillimet në vend dhe numrin e madh të grevave, si dhe koeficientet e lartë që janë vendosur për zyrtarët e lartë publik, Projektligj për paga do të duhej të tërhiqej deri në një vendim tjetër.
Ky projektligj për paga, shton Spahija, ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha sociale të të punësuarve në sektorin publik.
“Ligji për pagat është i mirëseardhur dhe rregullon shumë çështje që shumë herë janë ngritur, por normalisht për t’u miratuar dhe për të hyrë në fuqi ky ligj, Qeveria paraprakisht është dashur të diskutojë më gjatë dhe shtruar me të gjithë akterët që prek ky ligj. Është dashur një diskutim i hapur dhe i gjerë dhe vetëm atëherë kur Qeveria do ta kishte sqaruar se çfarë dëshiron të bëhet me këtë ligj, atëherë do të kishim një ligj të mirë”, thekson Spahija.
Duke kërkuar rritje të koeficientit për 30 për qind punëtorët në sektorin e arsimit në Kosovë janë në grevë që nga 14 janari i këtij viti. Kurse, që nga 17 dhjetori i vitit të kaluar, grevën po e vazhdojnë edhe mjekët kirurgë, me kërkesë që rritja e pagës se tyre të realizohet përmes miratimit të Projektligjit për pagat.
Infermierët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndërkaq, kanë protestuar të enjten në shenjë pakënaqësie ndaj Projektligjit për paga. Rangimi i infermierëve në këtë projektligj, sipas tyre, është i patolerueshëm.
Për të dalë nga kjo gjendje e grevave dhe pakënaqësive sociale, me të cilën aktualisht po përballet vendi, edhe eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, pati thënë për Radion Evropa e Lirë se Projektligji për paga duhet të tërhiqet dhe të vihet të debat.
“Zgjidhja është e thjeshtë, në rend të parë të kemi dialog të mirëfilltë dhe ta kthejmë Ligjin për paga në debat. Pakënaqësitë janë duke rritur çdo ditë dhe në këtë drejtim mundësitë buxhetore janë të limituara që të kemi një rritje të pagave bazuar në këto kërkesa. Është koha kur duhet të kemi dialog”, ka thënë Gërxhaliu.
Gjatë kësaj jave në grevë u futën edhe 22 mijë shërbyes civilë, por të cilët kanë ndërprerë grevën.
Greva e shërbyesve civilë u ndërpre pas një premtimi që u kishte bërë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ‘se nëse ndodh rritje për ndonjë kategori tjetër të punëtorëve, do të bëhet edhe për shërbyesit civilë’.
Një person vendos kravata për kryeministrin Haradinaj. Qytetarët i kishin dhuruar kryeministrit, kravata e këmisha, pasi ai vendosi që të rrisë pagën e tij.
Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Projektligji për pagat, ndonëse ka mangësi, do të duhej të miratohej të shtunën.
“Në një situatë tjetër, ky projektligj do të duhej të tërhiqej, por në situatën çfarë është Kosova ku tani e sa vite kanë kaluar pa një ligj të pagave, ky ligj duhet të miratohet. Në rend të parë është mirë të votohet ky ligj dhe më pas grupet e interesit mund të paraqesin pakënaqësitë dhe të intervenohet pastaj në ligj. Pra, nuk është se ky ligj pas votimit nuk mund të ndryshohet”, thotë Zymberi.
Në bazë të projektligjit aktual, koeficienti më i lartë është 12, pozitë kjo që e mban vetëm presidenti i Republikës së Kosovës, më pas është niveli i 10, ku bëjnë pjesë kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Kurse, në bazë të Projektligjit aktual për pagat, në koeficientet nga 3 deri në 4 janë përfshirë mjeku i përgjithshëm e deri te mjeku specialist.
Ndërkaq, më poshtë në pozitat nga 1.7 deri në 2.5, përfshihen përfaqësues të sistemit arsimit, bashkë me edukatoret e kopshteve deri te drejtorët e shkollave të mesme.