Fillimi i hapjes së Urës së Ibrit sprovë për Serbinë

14.08.2016 17:17:10

Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga BE, sot kanë filluar punimet për rifunksionalizimin e Urës së Ibrit, e që do të duhej të shënonte fillimin e zbatimit të Marrëveshjes për këtë urë. Në fakt, sipas Marrëveshjes, Ura e Ibrit do të duhej të ishte rifunksionalizuar në qershor të këtij viti, por ishte shtyrë për shkak të mosmarrëveshjeve për kufijtë administrativë ndërmjet dy pjesëve të Mitrovicës. Serbët nuk lejonin rifunksionalizimin e Urës së Ibrit për shkak se donin që kufijtë ndërmjet dy pjesëve të Mitrovicës të përcaktoheshin në bazë të interesave të tyre, e jo në bazë të Pakos së Ahtisarit, e që kundërshtohej nga pjesa jugore. Ky ishte edhe kushtëzim për të përfituar njësi kadastrale, por ishte edhe mënyrë për të shtyrë zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, ndër të cilat edhe Marrëveshjen për kodin telefonik dhe për çështjen e energjisë elektrike. Nga ana e saj, Serbia asnjëherë nuk kishte treguar vullnet për zbatimin e marrëveshjeve, duke gjetur arsye të ndryshme për të shtyrë sa më shumë zbatimin e tyre. Në një farë mënyre kishte arritur që të impononte një praktikë sipas të cilës, pasi arrinte marrëveshje, duhej të zhvilloheshin  negociata shtesë për të arritur marrëveshje për zabtimin e marrëveshjeve. Dhe kjo kishte bërë që Serbia taktikisht t’u shmangej edhe trysnive nga Brukseli dhe përgjithësisht nga bashkësia ndërkombëtare për zbatim të marrëveshjeve. Dhe trysnia më e madhe vinte nga fakti se Brukseli i kishte vënë përpara kapitullin 35, si një nga kushtet për të bërë përpara drejt anëtarësimit në BE. Kapitulli 35 është kapitulli që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. Gjithë anagzhimet e Serbisë kanë qenë që të destabilizohet Kosova dhe kështu edhe të shmanget Kapitulli 35, edhe t’i hapet rruga zgjedhjeve të tjera jashtë formatit të negociatave në Bruksel. Tashmë është bërë publike një shifër rr 450 milionë euro që Serbia ka futur në Kosovë për ta destabilizuar. Dhe ishte pikërisht kjo kohë kur Kosova u ballafaqua me situata destabilzuese, anarkiste, dhe me elemente terroriste, të cilat dështuan falë mosmbështetjes popullore dhe falë qëndrimit të qartë të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos  të SHBA-ve, Gjermanisë dhe Britanisë së madhe kundër formave të tilla destabilizuese. Megjithatë, Serbia asnjëherë nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për destabilizim, dhe para pak kohe pat paralajmëruar luftime në Kosovë gjatë muajit gusht. Në këtë kontekst, është me rëndësi të madhe të shihet se a mos është fillimi i rifunksionalizimit të Urës mbi Ibër vetëm përpjekje për të marrë kohë para bashkësisë ndërkombëtare derisa të shohë ndonjë tensionim të situatës në Kosovë, kur edhe mund të ndërpriten punimet e mëtejme. Në këtë kuptim Serbia është në sprovë qoftë për të parë a do të fillojë të zbatojë deri në fund marrëveshjet, por edhe për anagzhimin e saj në destabilizimin e Kosovës. Por në sprovë do të jetë edhe Kadri Veseli me PDK-në e tij, edhe partitë opozitare, edhe veglat e tyre brenda apo rreth LDK-së, por edhe korpusi mediatik i njohur për anagzhime të drejtpërdrejta në fushata primitive dhe luftënxitëse.