Nga: Fadil Maloku
1. Sot, sociologët bashkëkohor kanë arritur të identifikojnë tri lloje apo tipa të shpërnguljes apo “ikjes” së trurit: një, që ka të bëjë me shpërnguljen e këtyre elitave të reja nga vendet e pazhvilluara në ato të super të zhvilluara, i vendeve të tranzicionit në vende të zhvilluara, dhe, ai i vendeve të zhvilluara në vende të zhvilluara (ani pse ky tipi i fundit mund të konsistohet edhe si një lloj riciklimi ndërkombëtar i resurseve njerëzore).Në sociologjinë e dijes, koncepti “brain drain”-it, pra fenomeni i ikjes, largimit, zhvendosjes apo edhe fluktimit të kapitalit ose resurseve potenciale njerëzore prej një vendi në një vend tjetër, ndodh shkaku i sigurisë dhe kualitetit për një jetë më të mirë dhe më të suksesshme.
2. Në realitet, në shumë vende dhe shtete të rajonit dhe të botës mund të ketë arsye dhe pretekste të ndryshme të marrjes së këtij vendimi, jo edhe aq të lehtë për vendimmarrësit. Këto arsye dhe pretekste, mund të jenë të natyrës: politike (mungesa e një konsolidimi permanent e institucioneve dhe kapaciteteve shtetërore vendore); ekonomike (krizës dhe pamundësisë së mbijetimit); sociale (varfërisë permanente), etj.
3. Por, shkaqet e largimit, shpërnguljes apo si thuhet shpesh edhe të kullimit të trurit të një vendi apo shteti, kujtojë që duhet kërkuar përveç tjerash edhe në:
a. diferencat e mëdha të pagave që jepen për të njëjtën punë në ato vende ku personi vendos të shkojë:
b. pasiguria e shkaktuar nga ngjarjet e ndryshme politike (ndërrimi i dhunshëm i sistemit): menaxhimi i perfeksionuar dhe i dëshmuar i punës që e bënë me dëshmi dhe certifikim ndërkombëtar:
c. pastaj njohja e gjuhëve të huaja që mundëson komunikim pa kufij të dijes dhe kapitalit: debalansi midis resurseve njerëzore të pajisura me diploma ndërkombëtare të njohura dhe të certifikuara dhe padyshim kërkesës për ta në tregun e punës së atij vendi, etj. Pra, si shkaqe dhe motive të shpërnguljes së kësaj kategorie njerëzish me diploma superiore, mund të merren një konglomerat i tërë arsyesh, motivesh, e “detyrimesh” tjera sociale që ndikojnë në këto vendime të pakëndshme për gjeneratat e reja kosovare…