Sot në Mushtisht ka mundur të përsëritet Gjakova e vitit të kaluar: të krijohen incidente ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Duhet përshëndetur ndërkaq edhe banorët shqiptarë të fshatit Mushtisht, por edhe serbët që hoqën dorë nga marshuta e tyre në këtë fshat, sepse vërtet u shmang mundësia që të krijohen incidente, të cilat nuk u shkojnë për shtat as njërës palë, por vetëm regjimit ekspansionist të Beogradit dhe rekrutëve të tij shqiptarë. Pavarësisht se e drejta e lirisë së lëvizjes dhe e praktikimit të ritualeve fetare është një nga të drejtat elemantare të njeriut, shkuarja e serbëve në Mushtisht do të ishte një gjest dhe veprim i pamatur që do të merrej si provokim nga banorët shqiptarë, në kushtet kur janë mijëra shqiptarë të vrarë, e mijëra të tjerë të pagjetur ende. Duhet thënë se me marshuta të tilla, Kisha Ortodokse Serbe po vazhdon të jetë po ajo e kohës së Milosheviqit – frymëzuese e veprimeve provokative dhe kundrëshqiptare. Shfrytëzimi i festave të ndryshme fetare për të provokuar icidente ndëretnike, për të krijuar situata për të tensionuar situatën dhe për të akzuar pastaj shqiptarët se nuk po i lejojnë serbët as të praktikojnë ritualet fetare, ka qenë edhe në kohën e Milosheviqit, dhe ka vazhduar të jetë edhe pas tij. Rasti i Gjakovës, vitin e kaluar, por edhe rasti i sotëm në Mushtisht, dëshmojnë se Kisha Ortodokse Serbe, por edhe regjimi në Beograd bëjnë provokime të tilla në kushtet kur ka momente të veçanta dhe tensionuese brendashqiptare, për të kontribuar kështu në tensionimin e plotë të situatës, duke dëshmuar edhe një herë sesa të interesuara mbeten si shteti ashtu edhe kisha serbe për të destabilzuar Kosovën. Incidenti i vitit të kaluar në Gjakovë, u shfrytëzua nga Serbia që nëpërmjet gojës së Aleksandër Jabllanoviqit të fyente nënat shqiptare, për t’i vënë kështu benzin zjarrit të “Vetëvendosjes”, por edhe të partive të tjera opozitare dhe segmenteve të ndryshme politike e mediatike, zjarr që më vonë do të kthehet në zjarr ndërtesës së Qeverisë, ndërtesës së Kuvendit, policëve etj., e që ka pasur dhe ka qëllimin që të kthehet në zjarr që do djegë shtetin dhe institucionet e tij. Edhe këtë herë, marshuta e planifikuar për në Mushtisht ishte planifikuar në kushtet e një debati tepër agresiv nga ana e “Vetëvendosjes”, dhe të partive të tjera opozitare për destabilizim të vendit dhe të rajonit etj. Një incident në Mushtisht ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve do të ishte vërtet shumë i rëndë dhe që do të mund ta ndizte situatën në Kosovë, në prag të ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, çështje që po keqpërdoret paturpësisht dhe marrëzisht nga pjesa destruktive dhe luftënxitëse e politikës shqiptare në Kosovë. Parandalimi i një incidenti në Mushtisht, me anulimin e marshutës së serbëve në Mushtisht, që mund të jetë bërë edhe pas angazhimeve të faktorit ndërkombëtar dhe vendor në Kosovë, është një veprim i duhur, por njëkohësisht edhe dëshmi se provokimet e këtilla dhe të ngjashme mund të kenë ndikim të keq në paqen dhe sigurinë ndëretnike, por edhe të përgjithshme. Është koha kur duhet t’i thuhet Serbisë dhe Kishës Ortodokse Serbe të heqë dorë nga keqpërdorimi i fesë dhe i festave fetare për të provokuar shqiptarët dhe për të tensionuar situatën, dhe të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin.