Sot numërohen votat e fundit, KQZ afër shpalljes së rezultateve përfundimtare

26.10.2021 09:10:46

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka filluar procesi i rinumërimit të votave në 43 vendvotime nga zgjedhjet e 17 tetorit, të zhvilluara në nivel lokal.

Pas përfundimit të këtij rinumërimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me aftësi të kufizuara.

Kështu bëri të ditur, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai bëri të ditur se numërimi i votave do të nisë në ora 11:00.

Elezi tha se pas rinumërimit të 43 vendvotimeve dhe numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me aftësi të kufizuara, KQZ-ja do t’i shpallë rezultatet përfundimtare.

“Pas përfundimit të procesit për këto 43 vendvotime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë me numërimin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Besojmë që ky proces do të përmbyllet gjatë ditës së martë. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave”, tha ai.