​“8 Marsi nuk është ditë e dashurisë, por e perspektivës së gruas”

08.03.2020 16:23:57

Instituti Shkencor Kosovar-Suedez ka mbajtur konferencën shkencore ndërkombëtare me titull “110 vjet Përpjekje për të Drejta të Grave”.

Aty u tha se përpjekjet për barazi nuk do të përfundojnë asnjëherë deri sa ato të zbatohen plotësisht. Derisa në Kosovë u kërkua materializimi në praktikë i legjislacionit në fuqi ku i garantohen të drejtat grave.

Drejtoresha e institutit, Salihe Salihu duke folur për rolin e gruas në shoqëri, tha se duhet të bëhet e qartë te të gjithë se kjo datë nuk është ditë e dashurisë, por ditë e perspektivës se gruas.

“8 marsi nuk është ditë e dashurisë por e sigurisë. Ditë e të ardhmes dhe perspektivës për të gjithë kombin dhe shoqërinë”, tha ajo.

Ndërsa, profesori universitar, Bejtush Gashi tha se gr atë në Kosovë kanë arritur të kenë përfaqësimin e tyre në institucionet në Kosovë, por sipas tij duhet të bëhet më shumë që ky përfaqësim të jetë më i madh.

Në lidhje me këtë, Gashi tha se efekt ka pasur legjislacioni në fuqi, por kërkoi që ai përveç të krijojë siguri për gratë edhe të materializohet në praktikë.

“Ky legjislacion duhet të ofrojë barazi, por edhe të krijojë siguri që të mbrohen me legjislacionin në fuqi, por edhe me materializimin e tyre”, tha ai.

Duke folur për përfaqësimin e grave në institucione të sigurisë, profesori Gashi tha se duhet të punohet ende për t’i thyer të gjitha paragjykimet në inkuadrimin e femrave në polici.

“Në polici kemi disa sfida q ë janë të theksuara për faktin se pas aprovimit të ligjit kemi pasur disa defekte se në fazën e parë nuk është pranuar mire nga gjinia femërore. Mbështetur në statistika mbi 12 për qind në Polici janë femra”, tha ai.

Pjesë e kësaj konference ishin dhe pjesëtar të tjerë të cilët njëzëri kërkuan përfaqësim dhe fuqizim më të madh të grave në shoqëri.