​AAK konsideron se ka pasur shkelje kushtetuese gjatë votimit të qeverisë së re

03.02.2020 21:14:22

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po kërkon sqarim për rolin e Glauk Konjufcës gjatë ditës së sotme, kur edhe u votua qeveria e re. Sipas tyre ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca gjatë miratimit të Qeverisë ka votuar për miratimin e saj, e po ashtu edhe për zgjedhjen e tij si ministër i Jashtëm.

Shkumbin Demaliaj nga AAK në një konferencë për media të mbajtur sonë, tha se kjo përbën konfuzion të madh.

Demaliaj: Gjatë fjalimit Teuta Haxhiu ka kërkuar sqarim (Video) “Përbën konfuzion të madh lidhur me atë se kush duhet të nënshkruajë aktin e miratimit të Qeverisë së Kosovës, që është detyrë ekskluzive kryesisht e kryetarit të Kuvendit. Në këtë rast gjatë fjalimit deputetja Teuta Haxhiu, gjatë debatit që është bërë për qeverinë, iu ka drejtuar kryetarit Konjufca se a keni dhënë dorëheqje a jo, dhe përgjigja ka qenë jo, këtë e dinë të gjitha mediat dhe gjithë kuvendi, sepse pyetja ka qenë publike”, tha ai.

Ai tha se për këtë ekspertët duhet ta thonë fjalën e vet, pasi sipas tij është shkelje e madhe.

“Po shihet haptas se është një shkelje e madhe në rastin e nënshkrimit të miratimit qeverisë që duhet ta bëjë kuvendi. Në anën tjetër shohim edhe diçka tjetër, neve kemi marrë rendin e ditës të mbledhjes së jashtëzakonshme të Kryesisë së Kuvendit. Pas miratimit të qeverisë, Kryesia e Kuvendit është mbledhur aty, zyrtarisht është vetëm një pikë e rendit të ditës, nuk është diskutuar për dorëheqjen e kryetarit Konjufca, është thirrje e seancës së jashtëzakonshme… Kjo bëhet me kërkesë vetëm që të votohet kryetarja e re, Vjosa Osmani”, ka shtuar Demaliaj.

Krahas kësaj, ai ka bërë të ditur që pas konsultimeve me ekspertët do i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

Demaliaj: Nëse është shkelje kushtetuese, do t’i drejtohemi gjykatës (Video) “Neve do të konsultojmë ekspertët, kemi konsultuar e shohin se është konfuzion, dhe ta shohim gjatë ditëve në vazhdim nëse parashihet që është shkelje kushtetuese do t’i drejtohemi mekanizmit institucional që është Gjykata Kushtetuese e Kosovës për ta trajtuar këtë rast më tutje”, tha ai.

Teuta Haaxhiu nga AAK tha se nuk kanë marrë asgjë me shkrim për të sqaruar rolin e Glauk Konjufcës, për çka tha se do të shohin ditëve në vijim se si do të sqarohet pozicioni i tij gjatë ditës kur u votua qeveria e re.