​Berisha: Rama po i mbyll mediat si në Korenë e Veriut apo Iranin e Ajetullahve

01.12.2019 00:17:40

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar pasi kreu i ekzekutivit Edi Rrama paralajmëroi mbylljen e portalit të njohur JOQ.

Berisha përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se portali kryesor i vendit, JOQ u fshi nga faqja e dheut me një urdhër arbitrar të Edvin Kristaq Xhelatit, njëlloj si në Korenë e Veriut apo Iranin e Ajetullahve.

“Një portal kryesor i vendit, JOQ u fshi nga faqja e dheut me një urdhër arbitrar të Edvin Kristaq Xhelatit, njëlloj si në Korenë e Veriut apo Iranin e Ajetullahve. Ky portal me dhjetëra herë ka ndërmarrë sulme të padrejta, ne vlerësimin tim edhe ndaj meje por përsëri ai ishte ndofta më i pavaruri i këtij vendi.

Drejtuesi dhe stafi i tij janë te panjohur për mua. Kam ndjekur dje dhe sot mediat e shkruara ato online dhe televizive në mënyrë te pabesueshme kam konstatuar një heshtje varri. Kështu që po kaq e rëndë sa mbyllja e portalit nga Edvin Kristaq Xhelati më është dukur edhe heshtja juaj funerale para këtij akti kriminal.

Me këtë heshtje nuk mund të mos ju them se dëshmoni veten gazetar mendërisht te kastruar dhe dua t’ju kujtoj këtu një mësim elementar të historisë, se ai që nuk mbron lirinë e tjetrit ka humbur të veten. Keni shtrirë qafen nën satren e xhelatit. Zoti ju shpëtoftë”, ka shkruar Berisha.

Ndërkohë, pas paralajmërimeve që lëshoi në ditët e fundit, kryeministri Edi Rama e ka nisur seriozisht luftën me portalet.

Kështu, për herë të parë, në Shqipëri mbyllet faqja interaktive, JOQ, Jeta osh Qef.

AKEP, i ka bllokuar domain-in JOQ, duke pamundësuar vizitimin e JOQ nga të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri