​Dhurohen 250 pajisje shkollore dhe 151 tabletë për nxënësit në Prizren

30.09.2020 17:44:24

Drejtori ekzekutiv i Raiffeisen Bank Robert Wright dhe shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë Murat Sahin, me përkrahjen e MASH, kanë dhuruar sot 250 pajisje shkollore dhe 151 tabletë për nxënësit e tri shkollave në Komunën e Prizrenit.

Donacioni është pjesë e fondacionit të Raifeissen Bank, Stepic CEE Charity, në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet UNICEF dhe Raiffeisen Bank me qëllim të rritjes së bashkëpunimit për promovimin e çështjeve me rëndësi sociale dhe kujdesi ndaj fëmijëve.

Drejtoresha Komunale e Arsimit në Prizren Xhemile Thaçi-Vezgishi tha se ky donacion do t’i ndihmojë nxënësit e familjeve në vështirësi sociale.

“Sot jemi këtu për ta zyrtarizuar donacionin nga UNICEF, si dhe Stepic CEE Charity Vjenë, Raiffeisen Bank. Është një donacion prej 151 tabletëve dhe 250 pajisjeve shkollore për nxënës… Urojmë që këto sado kudo ta zbutë mungesën të cilën e kanë fëmijët që janë me raste sociale apo vështirësi ekonomike”, tha ajo.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin ka thënë se ky bashkëpunim është bërë në mënyrë që t’iu mundësohet çdo fëmije të jetë pjesë e sistemit të edukimit.

“Sot jemi duke realizuar një nga ëndrrat që e kemi së bashku me Raiffeisen dhe UNICEF. Raiffeisen në Kosovë ka shpërndarë 151 tabletë për fëmijët në regjionin e Prizrenit, dhe sot takova dy fëmijë, njëri quhet Efe, 14-vjeçar dhe është në klasën 7. Ëndrra e tij është që të bëhet programues, dhe të jetë i mirë në teknologji, dhe ai sot është një nga përfituesit prej këtij numri dhe është donacion që mund të mundësojë që Efe të realizojë ëndrrën e tij”, ka thënë Sahin.

Menaxheri regjional i Bankës Raiffeisen në Prizren, Lorik Munishi ka thënë përfitues të këtij donacioni janë nxënësit me nevoja sociale.

“Ky është donacion në vlerë prej 30 mijë euro, i dedikuar për regjionin e Prizrenit. Përfitues të donacionit janë nxënësit me nevoja sociale… Jemi munduar që t’i pajisim këta nxënës me çanta dhe tabletë, të cilat do të shërbejnë në edukimin e tyre në të ardhmen”, ka thënë Munishi.

Ndërsa këshilltari i ministrit Ramë Likaj, Enver Osdautaj ka thënë së shpejti pritet të mbulohen të gjitha nevojat e fëmijëve me vështirësi ekonomike.

“Sot ne në Prizren, së bashku me shefin e Zyrës të UNICEF për Kosovë, Sahin, me drejtorin e Raiffeisen Bank, Rober Wright, shpërndamë një donacion prej 151 tabletëve, mbi 250 pako, çanta me pajisje, të cilat u destinohen fëmijëve që nuk kanë pasur ose nuk kanë mundësi t’i ndjekin mësimet në kushte pandemie… Ky është fillimi i shpërndarjes së pakove për fëmijët dhe mendojmë se do t’i mbulojmë të gjitha nevojat e fëmijëve që kanë vështirësi”, tha ai.

Këto pajisje janë dhuruar në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, “Motrat Qiriazi” dhe “Remzi Ademi”.

Ndryshe, të dhënat zyrtare kanë treguar se mbi 10 mijë fëmijë nuk kanë pasur mundësi t’i ndjekin orët e mësimit online gjatë kohës me pandeminë koronavirus në Kosovë, për shkak të kushteve të dobëta ekonomike dhe mungesës së teknologjisë ndihmëse.