​Haziri: Gjobat mandatore për qytetarët janë të domosdoshme në këtë kohë pandemie

26.04.2020 16:03:45

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kritikuar qytetarët e kësaj komune për mos zbatim të masave parandaluese kundër përhapjes së COVID-19, duke bërë kështu që numri i të prekurve me këtë sëmundje të rritet në 51.

Në një konferencë për media, i pari i Gjilanit tha se mosrespektimi i masave kundër përhapjes së koronavirusit sjell gjoba mandatore, ku për persona fizikë dënimet janë deri në dy mijë euro e për ata juridikë deri në 8 mijë euro.

“Hyrja e një qytetari në zonën e karantinës, në familjen e karantinuar, për motive familjare dhe mos distancimi, ka bërë që ajo ta bartë pastaj infeksionin në familjen e saj. Pastaj prej familjes së origjinës është bartur në familjet tjera, që në përshkrim dhe rrugëtim me kontaktet e zgjeruara pastaj kemi arritur në këtë shifër prej 51 rasteve”, tha Haziri.

Haziri ka renditur një numër të madh të shkeljeve që po bëhen në vazhdimësi, derisa ka theksuar se gjobat mandatore do të jenë të domosdoshme për të vënë rend dhe rregull.

“Mos përdorimi i masave mbrojtëse, shumica e shërbimeve po ofrohen nga maketet e mëdha fatkeqësisht, njerëzve pa masa mbrojtëse edhe ofrimi i shërbimit edhe marrja e shërbimit është e dënueshme. Kërkojmë që përmes inspektoratit të zbatohen strikt përdorimi i maskave dhe mjeteve mbrojtëse”, tha Haziri.

Haziri ka thënë se edhe daljet e qytetarëve në rrugë në këtë fazë janë shumë më të mëdha, ku numri i ID dhe lejet e veçanta nuk korrespondojnë me numrin kaq të madh të qytetarëve në rrugë.

“Numri në ID dhe lëshimi i lejeve të përkohshme nuk korrespondon me daljen në rrugë, rritja e kontrollit të policisë në legjitimimin e njerëzve gjatë kohës së ndalesave dhe kufizimeve, rritja e autorizimeve në inspeksion, për të ndaluar, mbyll dhe iniciuar procedurë penale dhe mos dalja nga karantina janë masa e reja si pako që ne sot do t’i zbatojmë”, thotë Haziri.

Në komunën e Gjilanit, aktualisht janë 51 raste me COVID-19, prej tyre 18 të shëruar, 10 në hospitalizim, 22 raste në vetizolim dhe një i vdekur.