​Java e tretë e gushtit, priten stuhi lokale dhe shkarkim rrufesh

16.08.2020 18:17:51

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka njoftuar se moti në javën e ardhshme do të jetë i ndryshueshëm.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka bërë të ditur se, java e tretë e muajit gusht do të vijoj me mot të ndryshueshëm, por me intervale të gjata me diell.

Sipas IHMK-së, nga dita e hënë deri të enjten, kryesisht pasditeve pritet të ketë zhvillim të vranësirave dhe kushte për reshje shiu i përcjellë me erëra, në formë të stuhive lokale dhe shkarkime rrufesh.

Reshjet nuk do të përfshijnë gjithë territorin, më pak në Dukagjin, ndërsa reshje të intensitetit mesatar parashihen në rrafshin e Kosovës.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-31 gradë Celsius.

Indeksi UV do të jetë i lartë në orët e mesditës, prandaj këshillohet të respektohen udhëzimet e IKSHP.

Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-10m/s.

Më poshtë ju sjellim tabelat për dy ditët e ardhshme me temperaturat minimale dhe maksimale në qytetet kryesore të vendit.