​KRU Prishtina: Faturat e ujit mund të paguhen edhe në Postën e Kosovës, pa provizion shtesë

30.04.2020 18:12:43

Dy institucione të rëndësishme që merren me ofrimin e shërbimeve për konsumatorë u takuan gjatë ditës së sotme, për të bashkërenduar aktivitetet e tyre që ndërlidhen direkt me ofrimin e shërbimeve për konsumatorë.

Bordi i Drejtorëve dhe menaxhmenti i KRU “Prishtina” u takuan sot me Bordin e Drejtorëve dhe menaxhmentin e Postës së Kosovës.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i çështjeve dhe mundësive më të mira për bashkëpunim , me theks të veçantë ofrimi i shërbimeve më të mira për konsumatorët.

Rëndësi dhe diskutim i veçantë dhe i konkretizuar, iu kushtua trajtimit dhe ofrimit të lehtësirave për konsumatorin , rreth pagesave për shërbime të ujit dhe ujërave të zeza, mundësive për realizim pagesash pa kosto shtesë, edhe në Postën e Kosovës.

Në takim u konfirmua se realizimi i pagesës së faturës së ujit përmes pikave të shitjes së Postës së Kosovës, konsumatorëve u garanton shlyerje të menjëhershëm të borxhit dhe në mënyrë automatike në sistemin e pagesave të KRU “Prishtina”.

Me këtë rast u bëhet thirrje të gjithë konsumatorëve të KRU “Prishtina” me shtrirje në tetë komuna në zonën operative, që të shfrytëzojnë pikat e Postës së Kosovës për pagesën e faturës së ujit ngase, pagesat janë pa provizion shtesë dhe shlyhen menjëherë në sistemin e Ujësjellësit të Prishtinës.