​Nisin përgatitjet për shënimin e Besëlidhjes së Lezhës

01.03.2020 16:51:08

Më 2 mars të vitit 1444, në katedralen e Shën Nikollit, Skënderbeu mblodhi Besëlidhjen e Lezhës.

Sot në qytetin e Lezhës kanë nisur përgatitjet me vendosjen e flamujve kuq e zi në sheshin kryesor dhe në rrugët e qytetit.

Besëlidhja u mbajt në Lezhë, por presidenti i Shqipërisë Ilir Meta pikërisht në këtë data u ka bërë thirrje qytetarëve mbarë shqiptare t’i bashkohen tubimit në mbrojtje të Kushtetutës së Shqipërisë

Qytetarët lezhjanë shprehen se 2 marsin do ta festojnë në Lezhë dhe që presidenti Meta duhej të ishte i pranishëm në këto festime.

Për festën e 2 marsit, Bashkia e Lezhës ka organizuar një sërë aktivitetesh.

Ndryshe, Besëlidhja e Lezhës ka qenë një lidhje ushtarake të fisnikërisë arbërore që u themelua në Lezhë më 2 mars 1444, me udhëheqës Skënderbeun dhe pikësynim kundërshtimin e Perandorisë Osmane.

Besëlidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare.

Mbi parimet e Besëlidhjes së Lezhës, katër shekuj më vonë ishte themeluar edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Besëlidhje të tjera autentike kombëtare, të cilat bazoheshin në kodeksin shqiptar të organizimit për mbijetesë në kushte dhe rrethana të caktuara të historisë.