​VV pret shfuqizimin e vendimit për rritjen e pagave për qeveritarët

03.02.2018 15:18:30

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një konferencë për medie foli për vendimin e kundërligjshëm të Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për rritjen e pagave.

Haxhiu ka përmendur se 30 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të anulohet vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj, për rritje të pagës së tij dhe të kabinetit qeveritar.

“Vendimin në fjalë e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese pasi është vepër penale dhe kundërkushtetuese”, tha ajo.

Ka shtuar se presin që sa më parë të mbahet interpelanca e kërkuar nga Grupi i tyre Parlamentar.

“Vendimi i tillë nga Haradinaj, nuk duhej të pezullohej por të shfuqizohej i tëri”, shtoi ajo.

“Nëse Qeveria Haradinaj paska qenë e interesuar të rrisë pagat, pse nuk e bëri në mënyrë të ligjshme”, tha ajo duke shtuar se nuk kundërshtojnë pagat e ligjshme.

“Stafi civil ka nevojë për rritjen e pagave pasi kanë pagat nën 40 euro”, tha ajo.

Ka përmendur sistemin publik që kanë paga të vogla e s’kanë sigurime shëndetësore, për çka ka akuzuar kryeministrin Haradinaj se për ta nuk interesohet fare.

“Gjykata Kushtetuese të nxjerrë vendim meritor për këtë lëndë”, tha ajo.