​Zemaj: Zbatoni masat kundër virusit vdekjeprurës, ndryshe numrat nuk do të ulën

21.11.2020 20:51:51

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se respektimi i masave për pengimin e përhapjes së virusit dhe luftimin e tij, nuk është në nivelin e duhur, sepse, rastet pozitive dhe rastet e vdekjeve po shtohen.

Zemaj ka shkruar në Facebook se numri i madh i personave me virusin COVID-19, dhe numri i madh i rasteve të vdekjeve, do shërbyer si sinjal i fuqishëm për pakujdesinë në shtetin tonë.

“Deri sa ende nuk janë në përdorim vaksinat kundër virusit, mënyra e vetme për t’u mbrojtur, është distanca, maska dhe higjiena. Zbatoni masat kundër virusit vdekjeprurës, ndryshe, numrat nuk do të ulën. Ndryshoni sjelljen tuaj, për ta ndryshuar gjendjen në Republikën tonë. Ndryshe, na presin sfidat edhe më të mëdha”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njofton se në 24 orët e fundit 19 pacientë kanë vdekur nga koronavirusi dhe janë regjistruar 711 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton ky virus.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 4 raste (78, 71, 67, 64 vjeç), Prizren 4 raste (75, 72, 72, 62 vjeç), Vushtrri 2 raste (80, 72 vjeç), Drenas 1 rast (75 vjeç), Ferizaj 1 rast (56 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (73 vjeç), Gjakovë 1 rast (77 vjeç), Klinë 1 rast (57 vjeç), Malishevë 1 rast (66 vjeç), Pejë 1 rast (78 vjeç), Prishtinë 1 rast (78 vjeç), Skenderaj 1 rast (52 vjeç)”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Numri i rasteve të reja të infektimeve vjen pas testimit të 1.633 mostrave.

IKSHPK njofton po ashtu se në 24 orët e fundit, 721 pacientë janë shëruar.

Që prej 13 marsit – kur u paraqitën rastet e para me COVID-19 – deri më 21 nëntor, në Kosovë janë regjistruar 33.588 raste me koronavirus.

Prej tyre, 904 pacientë kanë vdekur, ndërkaq 20.493 janë shëruar.

Raste aktive janë 12.191.